Deputeti socialist, Erion Braçe kundër kryebashkiakut Erion Veliaj për vendimin e shkarkimit të Zhaneta Beqirit, drejtoreshës së Çerdheve dhe Kopshteve në Tiranë. Vendimi është firmosur nga Veliaj nga qelia, ndërsa Braçe e cilëson “të padrejtë” dhe kërkon rikthimin e saj në detyrë.
Erion, këtë herë e ke gabim! Zhaneta Beqiri është gruaja në krye të shërbimit publik të çerdheve dhe kopshteve në qytetin e Tiranës. Një shërbim që e them me plot gojën, është i vetmi brand publik në këtë qytet; ia ka dalë të konkurrojë e të mundë shërbimin privat në këtë lemë. Besoj shumë se Bashkia e Tiranës e ka krenari këtë brand publik.
Braçe thekson se gjatë 20 muajve të fundit, kur ka punuar në Tiranë, e ka parë personalisht Beqirin në terren, pranë fëmijëve dhe punonjësve të çerdheve dhe kopshteve, duke vlerësuar angazhimin e saj të përditshëm.
Zhaneta Beqirin unë e njoh në punë, vetëm aty; nuk kam pasur njohje personale me të këto 13 vitet e fundit, kur ajo ka drejtuar këtë shërbim. E njoha këto 20 muaj që punoj në Tiranë; e kam gjetur në çerdhe e kopshte, jo në zyrë. E kam parë krejt rastësisht në Irfan Tomini, Vasil Shanto, zonën e Shushicës, Ish-Bllok, 1 Maji – aty me fëmijët, duke i mbajtur në krahë e duke luajtur me ta, me edukatoret, me guzhinieret, me prindërit.
Nuk e kam gjetur në orën 11, 12, 13 etj., por që në 8, 8.05, 8.10, 8.15 të mëngjesit, në punën e saj, pa e ditur aspak për praninë time aty. Dhe unë, i habitur prej përkushtimit të saj, prej kujdesit për higjienën e deri te niveli i muzikës në ambientet e fëmijëve.
Sot në mëngjes, një grua, nënë, më shkroi se Zhaneta Beqiri ishte pushuar nga puna dhe më bëri me dije se ky është një gabim e dëm i madh që po i bëhet këtij shërbimi, mbi të gjitha fëmijëve. Kuptova përmasën e dëmit kur kontrollova mesazhet e shumta në telefon e në rrjetet sociale. Prindërit i kanë besuar fëmijët këtij shërbimi dhe njerëzve që e ndërtuan dhe e kthyen në brand publik – nuk mund të luhet me ta!
Ndaj do t’i kërkoja publikisht kryetarit të bashkisë dhe çdo zyrtari tjetër nën të: kthejeni pas atë vendim! Për cilëndo arsye, është i padrejtë! Nuk dua t’u besoj dhe as i marr në konsideratë ato që po dëgjoj; mua më vlen puna dhe shërbimi ndaj njerëzve në këtë qytet. Punën e kam parë me sytë e mi dhe vlerësimin për të e kam marrë nga mijëra sy të tjerë, fëmijësh e prindërish të lumtur!