Vijon moti i keq në vend. Instituti i Gjeoshkencave njofton se sot, territori përfshihet nga reshje intensive shiu në veriperëndim, ndërsa në disa të tjera, mesatare deri lokalisht intensive. Eshtë fjala për Kukësin, Dibrën, Lezhën, Tiranën dhe Elbasanin.
Në qarqet Durrës e Vlorë parashikohen reshje mesatare, të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në të tjera zona, shirat do të jenë të dobët e deri lokalisht mesatarë. Në veri dhe lindje, në lartësitë mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, reshjet shfaqen në formën e dëborës.
Sa i përket temperaturave, luhaten nga 14 deri në 16 gradë Celsius në zonat bregdetare, 13 deri në 15 në vendet e ulëta dhe 7 deri në 10 gradë në zonat malore. Era pritet të fryjë me intensitet mesatar deri të fortë.
Prej mbrëmjes së kaluar, Puka është pa furnizim me energji elektrike, për shkak të defekteve në transmetuesit energjetikë. Linja 35 kv që lidh nënstacionin e Fushë-Arrëzit me Pukën rezulton jashtë funksionit, një defekt që ndodh për të dytën herë në një javë.
Jashtë funksionit edhe linja e emergjencës Koman-Pukë. Si pasojë e erës së fortë dhe rrebeshit, janë dëmtuar disa nga linjat elektrike duke lënë pa energji qytetin e Pukës dhe fshatrat Qafë Mali,Gjegjan e Rrapë.