E hënë, 23 nëntor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK PUBLIK
Moti i keq godet veriun e vendit, probleme në Kukës, Shkodër e Pukë
Lajme

Moti i keq godet veriun e vendit, probleme në Kukës, Shkodër e Pukë

Reshjet intensive të shiut dhe erërat e forta kanë përfshirë veriun e Shqipërisë, duke shkaktuar dëme në banesa, institucione arsimore dhe infrastrukturën rrugore, si dhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike në disa bashki. Situata paraqitet më problematike në Fushë-Arrëz, ndërsa vështirësi raportohen edhe në Shkodër, Malësinë e Madhe, Vau të Dejës, Kukës, Has dhe Tropojë.

Sipas të dhënave të raportuara nga strukturat vendore mëngjesin e 23 nëntorit 2026, moti i paqëndrueshëm ka shkaktuar rrëzime pemësh, rënie gurësh e inertesh në rrugë, dëmtime në ndërtesa dhe probleme në rrjetin elektrik. Ekipet e emergjencave dhe shërbimet përkatëse kanë nisur ndërhyrjet për normalizimin e situatës.

Fushë-Arrëzi më i prekuri, dëmtohet çatia e një shkolle dhe disa banesa

Në Qarkun e Shkodrës, problematikat më të shumta janë evidentuar në bashkinë e Fushë-Arrëzit. Erërat e forta dhe reshjet kanë dëmtuar çatinë e shkollës 9-vjeçare në Iballë, si dhe disa banesa.

Probleme janë shfaqur edhe në rrugët rurale, ku prurjet e ujit, gurëve dhe dherave kanë sjellë dëmtime dhe vështirësi në qarkullim. Ndërkohë, ndërprerjet e energjisë elektrike prekin pothuajse të gjitha njësitë administrative të kësaj bashkie.

Gjatë natës, aksi Fushë-Arrëz–Bardhet u bllokua përkohësisht pas rrëzimit të një peme. Pas ndërhyrjes së shërbimeve bashkiake, rruga u pastrua dhe qarkullimi u rikthye.

Edhe në bashkinë Shkodër janë regjistruar pasoja nga moti i keq. Erërat e forta kanë rrëzuar disa pemë, të cilat janë larguar nga ekipet e shërbimeve bashkiake.

Në Malësinë e Madhe dhe Vau të Dejës, problematika kryesore lidhet me ndërprerjen e furnizimit me energji elektrike, ndërsa nuk raportohen dëme të tjera të konsiderueshme.

Rënie gurësh në akset drejt Razmës dhe Thethit

Kushtet e vështira atmosferike kanë prekur edhe disa prej akseve rrugore që lidhin zonat malore të Shkodrës.

Në rrugët Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth janë regjistruar rënie gurësh dhe prurje inertesh, duke krijuar vështirësi për qarkullimin. Autoritetet kanë nisur punën për pastrimin e segmenteve të prekura.

Në Qafë Thore janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, por aksi rrugor vijon të jetë i kalueshëm.

Ndërkohë, sipas të dhënave të Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit, nivelet e ujit në veprat ujore mbeten nën kuotat e rrezikut dhe deri në momentin e raportimit nuk janë konstatuar problematika në këto struktura.

Ekipet e OSHEE-së vijojnë ndërhyrjet në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e energjisë elektrike në zonat e prekura.

Kukësi, Hasi dhe Tropoja me ndërprerje të energjisë elektrike

Problemet nga moti i keq janë shtrirë edhe në Qarkun e Kukësit, ku reshjet e shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike në disa zona.

Sipas raportimit të situatës deri në orën 08:50 të 23 nëntorit, i gjithë territori i qarkut ishte përfshirë nga reshje me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa gjatë natës ishin regjistruar edhe erëra të forta. Në momentin e përditësimit të informacionit nuk kishte reshje.

Megjithëse nuk raportohen problematika të tjera madhore nga bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë, furnizimi me energji elektrike mbetet shqetësimi kryesor.

Në bashkinë Kukës, ndërprerjet e energjisë prekin zonën industriale të qytetit, si dhe njësitë administrative Malzi, Tërthore, Kolsh, Surroj, Topojan, Shishtavec dhe Zapod.

Në Tropojë, pa energji elektrike kanë mbetur njësia administrative Margegaj, qyteti i Fierzës dhe lagjja Geg Hysen në Bajram Curr.

Probleme me furnizimin raportohen edhe në bashkinë Has, ku ndërprerjet prekin njësinë administrative Fajzë, fshatrat Kishaj dhe Pogaj në njësinë Gjinaj, si dhe spitalin dhe ujësjellësin e qytetit të Krumës.

Pavarësisht vështirësive, furnizimi me ujë të pijshëm në këto zona vijon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës.

Ndërkohë, rrugët kombëtare në territorin e qarkut raportohen të kalueshme, por mbeten nën rrezikun e rënies së gurëve, inerteve dhe vërshimit të ujërave. Subjektet kontraktore po punojnë për pastrimin dhe mirëmbajtjen e akseve rrugore.

Puka pa energji elektrike, probleme edhe në qarkullim

Pasojat e motit të keq janë ndier edhe në bashkinë e Pukës, ku ndërprerjet e energjisë elektrike kanë lënë pa furnizim qytetin dhe disa njësi administrative.

Defekti është konstatuar që prej orës 16:40 dhe ka prekur Pukën, Qelëzin dhe Luf-Qerretin. Dyshohet se shkak është një problem teknik në Nënstacionin e Fushë-Arrëzit, i cili furnizon edhe Nënstacionin e Pukës.

Grupet e punës kanë dalë në terren për identifikimin dhe riparimin e defektit, me synim rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike.

Përveç ndërprerjeve të dritave, kushtet atmosferike kanë krijuar vështirësi edhe në rrugë, ku janë raportuar pemë të rrëzuara, rrëshqitje gurësh dhe dherash në disa segmente.

Autoritetet vendore u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet e panevojshme deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.

Prefekturat dhe strukturat përgjegjëse në qarqet e prekura po monitorojnë situatën në bashkëpunim me bashkitë dhe ekipet e shërbimeve, ndërsa ndërhyrjet në terren vijojnë për riparimin e dëmeve dhe normalizimin e furnizimit me energji elektrike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.