Industria muzikore australiane është në zi. Ka ndërruar jetë në moshën 83-vjeçare Molly Meldrum, një prej figurave më të rëndësishme të muzikës në Australi, i cili për dekada me radhë ndikoi në formësimin e shijeve muzikore të publikut dhe promovoi artistë që u kthyen në emra të njohur ndërkombëtarisht.
Meldrum, emri i vërtetë i të cilit ishte Ian Alexander Meldrum, u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të së hënës, në një spital në Melburn, pas një sëmundjeje të gjatë. Lajmi u konfirmua nga familjarët e tij.
I njohur nga publiku me nofkën “Guru”, Meldrum ishte një prej promovuesve më të mëdhenj të muzikës australiane. Ai luajti një rol të rëndësishëm në karrierën e grupeve dhe artistëve vendas, si INXS dhe Kylie Minogue, ndërsa mbështeti dhe promovoi edhe emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtare, përfshirë grupin ABBA.
Karakteri i tij i veçantë, mënyra shpesh kaotike e të sjellurit dhe kapelja karakteristike Stetson e bënë një figurë të paharrueshme për publikun. Gjatë karrierës, ai intervistoi personalitete të shumta, nga Mbreti Charles deri te Elton John. Ky i fundit e cilësoi Meldrum si “ndikimin e vetëm më të rëndësishëm në muzikën pop australiane”.
Për dekada me radhë, ai ishte drejtues i emisionit muzikor “Countdoun” në televizionin publik australian ABC, duke u kthyer në një figurë kyçe për promovimin e artistëve dhe muzikës së re. Më vonë, ai ishte gjithashtu pjesë e programit të varieteteve “Hey Hey, It’s Saturday”.
Një nga intervistat e tij më të famshme mbetet ajo e vitit 1977 me Mbretin Charles, i cili në atë kohë ishte Princ i Uellsit. I emocionuar dhe dukshëm nervoz përballë tij, Meldrum u ngatërrua disa herë gjatë intervistës, duke thënë me humor: “Lartësia Juaj Mbretërore… Oh, oh, po djersij si derr”.
Vite më vonë, Charles iu rikthye kësaj interviste në një program special për 40-vjetorin e “Countdoun”, duke u shprehur me humor: “Ekziston një shprehje e vjetër në botën e spektaklit që paralajmëron të mos punosh kurrë me kafshë apo fëmijë. Por askush nuk më kishte përgatitur për Molly Meldrum”.
Në vitin 2011, Meldrum pësoi një dëmtim të rëndë në tru, pasi ra nga një shkallë, pasojat e të cilit i mbarti për pjesën tjetër të jetës.
Në vitin 2014, ai u bë personi i parë që nuk ishte artist interpretues dhe që u përfshi në Sallën e Famës të Shoqatës Australiane të Industrisë së Regjistrimit (ARIA), një vlerësim për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në muzikë.
Pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta, ministri australian i Arteve, Tony Burke, e cilësoi Meldrum si një ikonë të vendit.
“Një nga trashëgimitë e tij më të mëdha do të jenë brezat e australianëve që u rritën me entuziazmin e tij të pagabueshëm dhe dashurinë për muzikën. Një kampion i vërtetë i talentit australian. Do të na mungosh, por nuk do të harrohesh kurrë”, u shpreh ai.
Familjarët e tij e përshkruan si “zemrën, kampionin dhe shpirtin e muzikës australiane”, duke i dhënë lamtumirën një prej figurave që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e saj.
