Si të pastroni enët zjarrduruese nga mbetjet e djegura pa dëmtuar sipërfaqen

Mbetjet e djathit, salcës dhe yndyrës së djegur mund të jenë të vështira për t'u hequr nga enët zjarrduruese, sidomos kur qëndrojnë për një kohë të gjatë.
Megjithatë, me disa përbërës që gjenden në çdo kuzhinë, mund t'i pastroni pa dëmtuar sipërfaqen.
Para se të filloni, lëreni enën të ftohet plotësisht. Më pas hiqni mbetjet e mëdha me një spatul plastike ose silikoni dhe shmangni përdorimin e mjeteve metalike.

Një tjetër hap i rëndësishëm është ta lini enën në ujë të ngrohtë me pak detergjent për të paktën 30 minuta, ose gjatë gjithë natës.
Një nga metodat më të thjeshta është përdorimi i sodës së bukës. Përzieni tri pjesë sodë buke me një pjesë detergjent enësh, derisa të krijohet një pastë.
Aplikojeni mbi zonat e djegura dhe lëreni të veprojë për rreth dy orë. Më pas fërkojeni me një sfungjer të butë dhe shpëlajeni me ujë të ngrohtë.
Një alternativë tjetër është kombinimi i sodës së bukës me uthullën e bardhë. Spërkatni zonat e ndotura me sodë, shtoni uthull derisa të krijohet shkumë dhe lëreni për 20–30 minuta. Pas kësaj, fërkojeni me kujdes.
Mund të përdorni edhe kripë të trashë dhe gjysmë limoni: fërkojeni sipërfaqen me lëvizje rrethore dhe lëreni për 15 minuta para se ta lani.
Për të shmangur krijimin e njollave të vështira, mos e mbushni enën më shumë se 80% të kapacitetit dhe mos përdorni tepër sprej gatimi, pasi mund të krijojë shtresa të forta gjatë pjekjes.
Gjithashtu, shmangni telin metalik dhe pluhurat gërryes. Për ruajtje më të mirë, vendosni një leckë të butë mes enëve kur i sistemoni në dollap. /Telegrafi/

































