Vrasja në Fier, reagon policia: Ekzekutohet një person dhe plagoset vëllai i tij, autorët djegin makinën

Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar mëngjesin e sotëm në lagjen “1 Maji” në Fier, ku një person është vrarë me armë zjarri dhe vëllai i tij ka mbetur i plagosur. Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40, në oborrin e banesës së dy vëllezërve, në rrethana ende të paqarta.
Viktima është shtetasi Selami Hasani, ndërsa vëllai i tij, Jakup Hasani., ka marrë plagë dhe është transportuar në spital, ku po merr ndihmë mjekësore.
Reagimi i Policisë:
Fier/Informacion paraprak
Rreth orës 09:40, në oborrin e banesës, në lagjen “1 Maji”, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi S. H. dhe është plagosur vëllai i tij, shtetasi J. H., i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në fshatin Dermenas është konstatuar një automjet që po digjet, i dyshuar si automjeti i përdorur nga autorët.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën intensive për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
/vizionplus.tv




