Ekzekutohet me armë zjarri Selami Hasani në Fier, plagoset vëllai i tij, digjet një automjet i dyshuar i autorëve. Viktima i dënuar me 25 vite burg për vrasje
Një atentat me armë zjarri është regjistruar paraditen e sotme në qytetin e Fierit, ku ka mbetur i vrarë Selami Hasani, ndërsa është plagosur vëllai i tij.
Sipas njoftimit paraprak të Policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 09:40, në oborrin e banesës së tyre, në lagjen “1 Maji”. Në rrethana ende të paqarta, autorët kanë qëlluar me armë zjarri ndaj dy vëllezërve, duke lënë të vdekur në vend Selami Hasanin dhe duke plagosur J. H., i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Ndërkohë, në fshatin Dermenas është konstatuar një automjet në flakë, i dyshuar se është përdorur nga autorët e krimit.
Kush ishte Selami Hasani
Selami Hasani, i njohur edhe me nofkën “Sel Çami” ose “Seli i malit”, ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur në Fier, më 25 mars 2002.
Asokohe, në tregun e kambistëve në qytet u vranë Julian Isufaj, i afërm i Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, dhe kambisti Esat Tare. Dy persona të tjerë mbetën të plagosur rëndë.
Sipas hetimeve të asaj kohe, vrasja ishte kryer në bashkëpunim me persona të tjerë dhe lidhej me një konflikt të hershëm mes familjeve dhe grupeve në Fier.
Pas rreth shtatë vitesh në kërkim, Hasani u arrestua më 12 gusht 2009 nga forcat speciale RENEA, në banesën e tij në lagjen “1 Maji” në Fier. Gjatë operacionit u sekuestruan edhe dy pistoleta. Pavarësisht dënimit me 25 vite burg, ai doli nga burgu në fund të vitit 2021, pasi kishte vuajtur rreth 11 vite heqje lirie.

Në foto, viktima Selami Hasani
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




