Ministria e Jashtme shpërndau informacion shtesë lidhur me pretendimin e rremë se Shqipëria ka qenë e përfshirë në një sulm me dronë ndaj një luftanijeje ruse pranë brigjeve të Libisë. Sipas MEPJ-së, platforma Clash Report, e ndjekur nga Visioner, përhap gjithashtu pretendimin se dronët e përdorur për goditjen janë nisur nga territori shqiptar dhe kanë përshkuar mbi 800 kilometra në Detin Mesdhe.
MEPJ thekson se ky pretendim nuk shoqërohet me prova të verifikueshme për vendndodhjen e dronëve apo identitetin e operatorëve. Paraqitja e informacionit të tillë si fakt, pa prova dhe pa verifikim të pavarur, sipas ministrisë krijon një narrativë dezinformuese që e lidh Shqipërinë me një operacion ushtarak kundër Rusisë. Ministria e Mbrojtjes ka përgënjeshtruar gjithashtu pretendimin dhe konfirmon se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk kanë kryer, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ofruar asnjë mbështetje për një operacion të tillë.
Në reagim theksohet nevoja për të bërë dallimin mes raportimeve mbi sulmin ndaj anijes ruse dhe pretendimeve që sulmi është organizuar ose realizuar nga territori shqiptar. Ekzistenca e një sulmi nuk provon origjinën e mjeteve të përdorura dhe as përfshirjen e Shqipërisë, vijojnë të sqarojnë institucionet. Ministria e Mbrojtjes mbështet qëndrimin zyrtar të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme dhe e konsideron lidhjen e pabazuar të vendit me këtë operacion si informacion çorientues që nuk duhet të riprodhohet si fakt i konfirmuar.
Reagimi thekson gjithashtu përgjegjësinë në raportimin e çështjeve të sigurisë dhe nevojën për dallimin e qartë mes fakteve të verifikuara dhe pretendimeve të pambështetura në prova. Lajmi është publikuar nga Top Channel.
