Policia e Fierit ka dalë me një deklaratë paraprake pas vrasjes së Selami Hasanit dhe plagosjes së rëndë të vëllait të tij, Jakup Hasani.

Policia bën me dije se ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm, në oborrin e banesës së viktimës.

Ende nuk dihet se kush janë autorët, ndërsa policia ka nisur punën për zbardhjen e dinamikës së ngjarjes, identifikimin dhe arrestimin e tyre.

Fier/Informacion paraprak

Rreth orës 09:40, në oborrin e banesës, në lagjen “1 Maji”, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi S. H. dhe është plagosur vëllai i tij, shtetasi J. H., i cili është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.

Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të autorëve. Në fshatin Dermenas është konstatuar një automjet që po digjet, i dyshuar si automjeti i përdorur nga autorët.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën intensive për zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.