Reshjet e shiut dhe erërat e forta gjatë natës kanë shkaktuar probleme me furnizimin me energji elektrike në disa zona të bashkive Kukës, Tropojë dhe Has.
Sipas raportimit të situatës deri në orën 08:50, reshjet janë ndërprerë, ndërsa gjatë natës kanë qenë me intensitet të ulët deri mesatar dhe të shoqëruara me erëra të forta.
Pavarësisht ndërprerjes së reshjeve, rrugët nacionale dhe ato bashkiake vijojnë të jenë të rrezikuara nga rënia e gurëve, inerteve dhe vërshimi i ujërave. Subjektet kontraktore po punojnë për pastrimin e akseve dhe mbajtjen e tyre funksionale. Autoritetet bëjnë me dije se të gjitha rrugët nacionale janë aktualisht të kalueshme.
Problematika kryesore mbetet furnizimi me energji elektrike, pasi disa zona vijojnë të jenë pa energji. Në Bashkinë Kukës, ndërprerje raportohen në zonën industriale dhe në njësitë administrative Malzi, Tërthore, Kolsh, Surroj, Topojan, Shishtavec dhe Zapod.
Në Bashkinë Tropojë, pa energji elektrike janë njësia administrative Margegaj, qyteti i Fierzës dhe lagjja Geg Hysen në Bajram Curri. Ndërsa në Bashkinë Has, ndërprerjet prekin njësinë administrative Fajzë, fshatrat Kishaj dhe Pogaj në njësinë administrative Gjinaj, si dhe spitalin dhe ujësjellësin e qytetit të Krumës.
Nga ana tjetër, bashkitë Kukës, Has dhe Tropojë nuk kanë raportuar problematika të tjera. Furnizimi me ujë të pijshëm vijon sipas orareve të përcaktuara nga Drejtoria Rajonale e Ujësjellës-Kanalizimeve Kukës.
Autoritetet bëjnë me dije se situata po monitorohet në vijimësi.