Vendosi tritol në derën e banesës së një shtetasje, shpallet në kërkim 60-vjeçari në Tiranë, procedohen penalisht 3 të tjerë

23/11/2026 11:05

Një 60-vjeçar është shpallur në kërkim nga Policia e Tiranës, pasi dyshohet se vendosi lëndë plasëse në derën e banesës së një 47-vjeçareje në rrugën “Sadik Petrela”.

Ngjarja ndodhi më 14 nëntor, ndërsa në kuadër të operacionit policor “Gjurmimi” janë proceduar penalisht edhe tre shtetase, të cilat dyshohet se ndodheshin në automjet me autorin e dyshuar në momentin e shpërthimit, por nuk e kanë kallëzuar krimin.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Gjurmimi”.

Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 14.11.2026, në rrugën “Sadik Petrela”, ku shpërtheu një sasi e dyshuar lënde plasëse në derën e jashtme të banesës së një 47-vjeçareje.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 60-vjeçar, i dyshuar si autor i ngjarjes.

Procedohen penalisht 3 shtetase, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Sekuestrohen automjeti i përdorur ditën e ngjarjes dhe 4 aparat celularë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, menjëherë pas njoftimit për shpërthimin e një sasie të dyshuar lënde plasëse në derën e jashtme të banesës së shtetases A. M., në rrugën “Sadik Petrela”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gjurmimi”, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale hetimore, administrimit të provave, si dhe kryerjes së veprimeve të tjera procedurale, u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi dhe shpallja në kërkim i autorit të dyshuar shtetasit A. Z., 60 vjeç, banues në Elbasan.

Gjithashtu, nisi procedimi penal në gjendje të lirë për 3 shtetase, A. Ç, 21 vjeçe, A. L, 18 vjeçe dhe një 17-vjeçare, komshinj me autorin, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se kanë qenë në automjet së bashku me autorin e dyshuar, në momentin e kryerjes së ngjarjes, dhe nuk kanë kallëzuar krimin.

Gjatë veprimeve hetimore u sekuestruan në cilësinë e provës materiale automjeti i përdorur ditën e ngjarjes, si dhe 4 aparat celularë.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel