Garanci si të NATO-s për Ukrainën? Propozimi amerikan përballë kundërshtimit rus
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mund të shqyrtojë mundësinë e ofrimit të garancive të sigurisë për Ukrainën – të ngjashme me angazhimet e NATO-s për mbrojtje kolektive – nëse bindet se rreziku i një pushtimi tjetër rus zvogëlohet mjaftueshëm, tha i dërguari i posaçëm, Jared Kushner.
Në një postim të gjatë në platformën X, më 22 nëntor, Kushner e përshkroi gatishmërinë e raportuar të Rusisë për të diskutuar garanci të tilla si “një hap të madh përpara” dhe një tregues të mundshëm se Moska është serioze për arritjen e paqes.
Publikisht, Moska i ka kundërshtuar garancitë e sigurisë për Ukrainën, të ngjashme me ato të NATO-s.
Javën e kaluar, zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, i cilësoi ato si të papranueshme, duke ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si Kushner e paraqiti qëndrimin e Moskës.
Kushner nuk konfirmoi ndonjë angazhim konkret të SHBA-së, duke theksuar se çdo garanci e propozuar do të duhej të miratohej nga Trump, në përputhje me procedurat kushtetuese dhe ato të Kongresit amerikan.
Një zyrtar amerikan i tha Radios Evropa e Lirë se deklarata e Kushnerit është e rëndësishme për shkak të rolit të tij në negociata.
“I dërguari i posaçëm nuk bën deklarata pa i menduar mirë dhe pa i kuptuar qëndrimet e të gjitha palëve të përfshira, veçanërisht të presidentit Trump, i cili ia beson zhvillimin e negociatave”, tha zyrtari.
Çfarë po shqyrton Uashingtoni?
Kushner tha se garancitë e besueshme të sigurisë, të mbështetura në masa parandaluese dhe mekanizma për të shmangur përshkallëzimin ushtarak, “mund ta zvogëlojnë ndjeshëm rrezikun e një lufte tjetër”.
Ai u pajtua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, se garancitë duhet të jenë “konkrete, të besueshme dhe të dokumentuara qartë”.
Kushner propozoi një kornizë më të gjerë, që do të përfshinte kanale të përhershme konsultimi, komunikim gjatë krizave, mekanizma për shmangien e incidenteve ushtarake, transparencë dhe masa të ndërsjella për uljen e rrezikut të përshkallëzimit.
Sipas tij, synimi duhet të jetë një e ardhme ku “Ukraina është e sigurt, Evropa është më e fortë, Rusia ka besim se NATO-ja nuk kërkon konfrontim, ndërsa NATO-ja dhe partnerët e saj kanë besim se Rusia do të respektojë sovranitetin dhe sigurinë e fqinjëve të saj”.
Ai theksoi se garancitë e sigurisë për Ukrainën nuk mund të finalizohen të shkëputura nga arkitektura më e gjerë e sigurisë evropiane pas luftës dhe se çdo marrëveshje duhet të ruajë sovranitetin dhe pavarësinë e vendimmarrjes së shteteve pjesëmarrëse.
Kushner argumentoi, gjithashtu, se siguria afatgjatë kërkon forcë ekonomike dhe një plan të besueshëm për zhvillimin dhe prosperitetin e Ukrainës, përfshirë reforma që do t’i forconin institucionet, ekonominë dhe aftësinë e saj për t’u mbështetur në burimet e veta.
Duke iu referuar bisedës së Trumpit me udhëheqësit e Koalicionit të Vullnetit, ai tha se qindra miliarda dollarët që janë duke u shpenzuar për luftë, mund të investohen në krijimin e vendeve të punës, rritjen ekonomike, uljen e çmimeve të energjisë dhe infrastrukturë.
Ai tha se Uashingtoni synon të bashkëpunojë me Kievin, partnerët evropianë dhe Moskën gjatë javëve të ardhshme për të hartuar marrëveshjet e propozuara.
Zelensky kërkon më shumë garanci
Postimi i Kushnerit erdhi pas deklaratave të fundit të presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas një takimi të Koalicionit të Vullnetit në Berlin.
Zelensky tha se anëtarësimi i plotë në NATO mbetet garancia më e qartë e sigurisë për vendin e tij dhe se një hap i tillë do ta forconte edhe vetë aleancën.
Ai ngriti pikëpyetje se çfarë do të nënkuptonte në praktikë një marrëveshje alternative, e ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, përfshirë cilat vende do të merrnin pjesë, si do ta mbronin Ukrainën dhe nëse do të ishin të gatshme ta zmbrapsnin një sulm tjetër rus.
Sipas tij, përgjigjet për këto çështje duhet të përcaktohen me shkrim dhe të mos mbeten vetëm premtime të përgjithshme politike.
Zelensky këmbënguli, gjithashtu, që garancitë e sigurisë të vlejnë edhe pas përfundimit të mandatit presidencial të Trumpit.
Ai tha se Ukrainës i duhen angazhime afatgjata, jo vetëm për dy vjetët e ardhshëm.
“Kjo nuk është paqe e qëndrueshme. Kjo është një pauzë dyvjeçare”, tha Zelensky.
Kundërshtimi i Moskës
Daniel Fried, ish-ndihmëssekretar amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, i cili ka shërbyer gjatë shtatë administratave amerikane, tha për Radion Evropa e Lirë se nuk sheh prova që Moska është e gatshme të diskutojë garanci të tilla.
“Do të doja t’i dëgjoja rusët ta thoshin këtë. Ata nuk e kanë thënë”, deklaroi Fried, duke iu referuar qëndrimeve publike të Ryabkovit dhe synimeve maksimaliste që Rusia vazhdon t’i ketë në luftë.
Ai paralajmëroi se gatishmëria për të diskutuar një propozim, nuk duhet të ngatërrohet me pranimin e tij.
“Fjala ‘diskutim’ po përdoret për të nënkuptuar shumë më tepër sesa është konfirmuar”, tha ai.
Sipas Friedit, një garanci e mirëfilltë sigurie, e ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, do të nënkuptonte që SHBA-ja dhe vendet kryesore evropiane, përfshirë potencialisht edhe anëtarë të Koalicionit të Vullnetit, të zotoheshin se një sulm ndaj Ukrainës do të trajtohej si sulm ndaj të gjithëve.
“Kjo do të ishte një çështje me rëndësi shumë të madhe”, tha ai.
Një marrëveshje e tillë do të mund të funksiononte, shtoi Fried, por Rusia do të mund ta kundërshtonte. Sipas tij, anëtarësimi i plotë i Ukrainës në NATO do të ishte zgjidhja më e favorshme për Kievin.
Fried, po ashtu, ngriti pikëpyetje nëse Kushner po paraqiste një politikë tashmë të miratuar nga administrata amerikane apo po përpiqej të siguronte mbështetjen e Trumpit për një propozim.
“Do të ishte shumë më mirë sikur të kishte thënë se Donald Trump e mbështet këtë garanci, në përputhje me procedurat kushtetuese dhe ato të Kongresit”, tha Fried.
“Duket sikur Jared Kushner po përpiqet të ruajë një ekuilibër të vështirë dhe të krijojë fakte në terren për t’ia paraqitur Trumpit, në vend që të shprehë një qëndrim të Qeverisë amerikane”, shtoi ai.
Vizioni i Pentagonit për NATO-n
Fried pyeti, po ashtu, nëse garancitë e mundshme amerikane të sigurisë për Ukrainën përputhen me prioritetet e Elbridge Colbyt, zyrtarit të lartë të Pentagonit, përgjegjës për politikat e mbrojtjes.
Në një postim në rrjetet sociale, më 22 nëntor, Colby foli për kalimin drejt asaj që ai e quajti “NATO 3.0”, duke argumentuar se aleatët evropianë duhet të marrin rolin udhëheqës në mbrojtjen konvencionale brenda aleancës.
Colby tha se mbështetja amerikane për Ukrainën duhet të përqendrohet në ndihmën për mbajtjen e vijave të frontit dhe kryerjen e sulmeve të lidhura me to, në distanca të mesme.
Sipas tij, kjo është mënyra më efektive për të forcuar mbrojtjen e Ukrainës dhe për të krijuar kushtet për një paqe të qëndrueshme.
Colby tha se kalimi drejt një mbrojtjeje konvencionale të udhëhequr nga vendet evropiane, tashmë po jep rezultate, pasi aleatët e SHBA-së po tregojnë se kanë kapacitetet industriale dhe vullnetin politik për të marrë më shumë përgjegjësi.
Megjithatë, sipas Friedit, këto prioritete ngrenë pikëpyetje se si Uashingtoni mund ta zvogëlojë rolin e tij ushtarak në Evropë dhe, njëkohësisht, të marrë përsipër detyrime të reja të rëndësishme për sigurinë e Ukrainës.
“Nëse do të marrim përsipër detyrime shtesë të sigurisë, si garancitë për Ukrainën të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s, dua të di se sa forca shtesë do të nevojiten dhe si do të realizohet kjo”, tha ai.
Fried paralajmëroi se negociatat për masa të ndërsjella që synojnë uljen e tensioneve, mund t’i japin Moskës mundësi të paraqesë kërkesat e saj.
Pavarësisht rezervave, Fried tha se postimi i Kushnerit përmban propozime mjaft konkrete për t’u marrë seriozisht.
“Më parë nuk i kisha marrë seriozisht deklaratat e Kushnerit për garanci të ngjashme me Nenin 5, por ky postim shkon mjaft larg, saqë më bën t’i marr seriozisht”, tha ai.
Garancitë duhet të jenë të besueshme
Kristina Kvien, ish-drejtoreshë për Evropën në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së dhe ish-e ngarkuar me punë në Ambasadën amerikane në Ukrainë, u shpreh më skeptike.
Kvien, e cila aktualisht është presidente e Këshillit të Paqësorit për Politikat Ndërkombëtare, tha për Radion Evropa e Lirë se shprehja “garanci të ngjashme me Nenin 5 të NATO-s” është tepër e paqartë, nëse nuk përcaktohen mekanizma konkretë dhe të zbatueshëm për garantimin e sigurisë.
Ajo vuri në dyshim edhe pretendimin e Kushnerit se Rusia është e gatshme ta diskutojë një marrëveshje të tillë, veçanërisht pas kundërshtimit të shprehur nga Ryabkov.
Sipas saj, edhe një angazhim me shkrim do të ishte i besueshëm vetëm nëse Uashingtoni do të ishte i gatshëm ta zbatonte.
“Administrata Trump nuk e ka krijuar besimin e nevojshëm për të garantuar se ky angazhim do të respektohet”, tha Kvien.
“Garancia më e besueshme e sigurisë për Ukrainën është anëtarësimi i plotë në NATO”, shtoi ajo.
Kushner theksoi se garancitë e propozuara të sigurisë, së bashku me rimëkëmbjen ekonomike dhe një kornizë më të gjerë të sigurisë evropiane, synojnë të krijojnë bazën për një marrëveshje të qëndrueshme paqeje.
Ai tha se synimi përfundimtar është “një Ukrainë sovrane, e sigurt, e begatë dhe e lirë, një Evropë më e fortë dhe më e qëndrueshme, si dhe një paqe afatgjatë, e mbështetur në marrëveshje që e bëjnë shumë më pak të mundshme një luftë tjetër”.
“Asgjë nuk është e dakorduar derisa të arrihet marrëveshja”, theksoi ai.
“Por, gatishmëria për t’i diskutuar këto çështje historike krijon një mundësi të rëndësishme për t’i dhënë fund gjakderdhjes”, përfundoi Kushner./rel




