Një histori prekëse nga Shtetet e Bashkuara ka emocionuar mijëra njerëz. Në New Orleans është inauguruar një muze i jashtëzakonshëm për fëmijët brenda një spitali pediatrik, duke realizuar ëndrrën e Walker Beery, një vogëlushi që u përball me kancerin në tru.

Walker ishte diagnostikuar në vitin 2019 dhe, gjatë trajtimeve të gjata, dëshironte një hapësirë ku fëmijët e shtruar në spital të mund të luanin, të argëtoheshin dhe të përjetonin momente lumturie larg dhomave të trajtimit.

Familja e tij, së bashku me fondacionin Kids Join The Fight, arriti ta kthente këtë dëshirë në realitet përmes donacioneve. Hapësira, e quajtur Walker’s Imaginarium, është konceptuar si një botë magjike me lojëra ndërvepruese, muzikë, akuariume, fusha sportive dhe aktivitete të përshtatura edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara.

Muzeu përfshin gjithashtu një hapësirë mësimore për fëmijët që mungojnë gjatë në shkollë për shkak të trajtimeve mjekësore. Ai do të jetë i hapur çdo ditë për pacientët dhe familjarët e tyre. Babai i Walkerit, Taylor Beery, u shpreh se çdo fëmijë që gjen një çast gëzimi në këtë hapësirë mban gjallë ëndrrën e të birit.

Historia e vogëlushit është kthyer në një simbol shprese, duke dëshmuar se edhe një dëshirë e lindur në ditët më të vështira mund të sjellë lumturi në jetën e shumë fëmijëve të tjerë.