Kushtet e rënduara atmosferike kanë shkaktuar dëme në ambientet e Spitalit të Pukës, ku një pjesë e mbulesës metalike të korridorit që lidh Urgjencën dhe Poliklinikën me godinën kryesore është shkëputur si pasojë e motit të keq.
Rënia e llamarinave ka dëmtuar edhe një autoambulancë të shërbimit spitalor, e cila në momentin e incidentit ndodhej e parkuar pranë ndërtesës.
Pavarësisht dëmtimeve në mbulesën e jashtme, uji nuk ka depërtuar në brendësi të korridorit lidhës, pasi ai është i pajisur edhe me një soletë mbrojtëse.
Kjo nuk është hera e parë që kjo pjesë e strukturës pëson dëmtime. Vetëm pak ditë më parë, mbulesa metalike ishte dëmtuar pjesërisht, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e kompanisë së sigurimit për riparimin e saj.
Megjithatë, moti i keq ka shkaktuar sërish probleme në të njëjtën pjesë të ndërtesës, duke dëmtuar mbulesën dhe automjetin e shërbimit spitalor.
