Barcelona ka marrë një vendim për të mos rrezikuar me Lamine Yamal. Talenti spanjoll ka shfaqur shqetësime në kyçin e djathtë të këmbës dhe për këtë arsye nuk do të jetë pjesë e skuadrës katalanase për transfertën ndaj Sabahut në Champions League, që do të zhvillohet të mërkurën në Baku.
Lajmi është konfirmuar nga vetë klubi, i cili ka bërë të ditur se mungesa e 18-vjeçarit është një masë parandaluese, me qëllim shmangien e komplikacioneve të mundshme.
Sipas informacioneve të para, dëmtimi nuk duket serioz dhe pritet që Yamal të rikthehet në dispozicion për ndeshjen e së dielës ndaj Deportivo La Coruna, në kampionat.
Problemet fizike të talentit të Barcelonës u shfaqën që përpara sfidës së së dielës ndaj Villarrealit, e fituar 3-2 në “Camp Nou”. Gjatë nxehjes para ndeshjes, Yamal ndjeu një shqetësim në kyçin e këmbës, duke detyruar stafin mjekësor të ndërhynte për të vlerësuar gjendjen e tij.
Pavarësisht dhimbjeve, sulmuesi vendosi të luante dhe qëndroi në fushë gjatë të 90 minutave, në një takim ku Barcelona arriti të përmbyste rezultatin. Megjithatë, ai humbi një penallti në momentin kur skuadra e tij ishte në disavantazhin 0-2.
Ditën e sotme, Yamal iu nënshtrua kontrolleve të tjera mjekësore në qendrën stërvitore të klubit. Pas vlerësimit të situatës, u vendos që ai të mos udhëtonte me pjesën tjetër të ekipit drejt Azerbajxhanit.
Kështu, futbollisti do të qëndrojë në Barcelonë për të vijuar rikuperimin, me synimin që të jetë plotësisht gati për sfidën e ardhshme në kampionat.
