Lushaku-Sadriu kërkon sqarime nga ambasadori i BE-së për këngën nacionaliste serbe në Bruksel

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kërkuar sqarime nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Dirk Schuebel, lidhur me incidentin e ndodhur në Forumin e Zgjerimit në Bruksel, ku ishte interpretuar një këngë nacionaliste serbe.
Në një deklarim për këtë çështje, Lushaku-Sadriu e ka cilësuar ngjarjen si zhgënjyese, duke theksuar se Kosova tash e një javë është në pritje të një kërkimfaljeje zyrtare nga institucionet e Bashkimit Evropian.
Ajo ka rikujtuar se Kosova është ndër shoqëritë më proevropiane në rajon dhe se Bashkimi Evropian shihet si perspektiva kryesore e vendit.
“Dua që në fillim të shpreh habinë dhe zhgënjimin për një incident që ka ndodhur në Bruksel javën e kaluar. Ishte një ngjarje zhgënjyese për ne dhe për shoqërinë tonë në përgjithësi, pasi Kosova është shoqëria më proevropiane në rajon dhe Bashkimin Evropian e shohim si perspektivën tonë shtetërore”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu gjatë mbledhjes së Komisionit për Integrimeve Evropiane.
Ajo ka kritikuar gjithashtu mungesën e përfaqësimit institucional të Kosovës në këtë forum, duke theksuar se një ngjarje e tillë duhet të shërbejë për përcjelljen e mesazheve të pajtimit dhe bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit.
“Për më tepër, Forumi i Zgjerimit është një platformë që ka për qëllim të përcjellë mesazhe pajtimi ndërmjet shteteve që kanë qenë në konflikt me njëra-tjetrën. Misioni i Bashkimit Evropian është që t'i ndihmojë vendet t'i tejkalojnë këto ndasi dhe të bëjnë hapa përpara drejt integrimit evropian”, është shprehur ajo.
Lushaku-Sadriu ka theksuar se Kosova është duke pritur një reagim zyrtar lidhur me atë që ndodhi në Bruksel, duke kërkuar që Bashkimi Evropian të marrë përgjegjësi institucionale për incidentin.
“Ka një javë që po presim një kërkimfalje institucionale dhe formale ndaj Republikës së Kosovës, për të sqaruar këtë incident dhe për t'u siguruar se janë marrë masat e nevojshme që situata të tilla të mos përsëriten në të ardhmen”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu. /Telegrafi/

































