Një orë e humbur në thellësitë e një liqeni është kthyer në misionin e jetës për një specialist të skenave të rrezikshme në Hollivud, i cili prej tri dekadash përpiqet të rikuperojë sendin që bleu me të gjitha kursimet e rinisë.

Historia e Tom Place nisi në verën e vitit 1996, kur ai ishte vetëm 18 vjeç dhe sapo kishte realizuar ëndrrën për të blerë një Rolex Submariner Date 16610, me vlerë 3.100 dollarë.

Por gëzimi zgjati pak. Ndërsa u hodh nga një varkë në liqenin Trout, në shtetin e Nju Jorkut, kapësja e orës u këput dhe Rolex-i përfundoi në ujë, në një thellësi mbi 24 metra.

I riu tentoi menjëherë ta gjente, duke u zhytur dhe madje duke përdorur një magnet industrial, por pa rezultat. Pas shumë përpjekjesh, ai dyshoi se ora ishte mbuluar nga balta dhe bimësia nënujore.

Megjithatë, në vitin 2020, gjatë ndërprerjes së aktiviteteve kinematografike për shkak të pandemisë, Place vendosi të rifillonte kërkimet.

I pajisur me mjete profesionale zhytjeje dhe detektorë metalesh, ai nisi të kontrollonte sistematikisht fundin e liqenit. Deri tani ka kaluar rreth 60 orë nën ujë, duke gjetur goma, kanaçe, spiranca dhe objekte të tjera metalike, por jo orën e tij. Pavarësisht vështirësive, Tom Place mbetet i bindur se Rolex-i ndodhet ende aty. Për të, ora nuk përfaqëson më vetëm një send të shtrenjtë, por kujtimin e një ëndrre rinore që nuk dëshiron ta braktisë.