Komisioni i Venecias i është përgjigjur kërkesës së kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për ekspertizë ligjore mbi projektligjin “Për financimin e partive politike”.
Sipas njoftimit, më 25 nëntor dy ekspertë të Komisionit të Venecias do të zhvillojnë një vizitë pune në Tiranë, ku do të takohen me anëtarët e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Kreu i Kuvendit i kishte ftuar ekspertët për të diskutuar mbi ecurinë e projektligjit për financimin e partive politike dhe mënyrën se si janë reflektuar në të rekomandimet e Komisionit të Venecias.
Kjo ekspertizë vjen pas opinionit të dhënë më 17 qershor të këtij viti nga Komisioni i Venecias për draftin ligjor. Në atë dokument, ekspertët e vlerësuan nismën, por paraqitën edhe disa kritika dhe rekomandime.
Komisioni theksoi nevojën për masa më të forta kundër financimeve të fshehta dhe indirekte, duke marrë në konsideratë përdorimin e gjerë të transaksioneve me para në dorë në aktivitetin ekonomik dhe shoqëror në Shqipëri. Gjithashtu, sugjeroi që partitë politike të raportojnë financimet në dy periudha gjatë procesit zgjedhor.
Një tjetër rekomandim ishte forcimi i rolit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në kontrollin dhe auditimin e financave të partive politike.
Ndërkohë, në kuadër të Reformës Zgjedhore, Partia Demokratike ka paraqitur propozimet e saj, ku kërkon që Shqipëria të kthehet në një zonë të vetme zgjedhore, me sistem proporcional kombëtar dhe lista 100% të hapura. Demokratët propozojnë gjithashtu lista të hapura për këshilltarët bashkiakë, barazi mes mazhorancës dhe opozitës në vendimmarrjen e KQZ-së, rishikimin e votës së diasporës dhe vendosjen e një pragu zgjedhor që nuk penalizon partitë e vogla.
PD kërkon edhe balotazh zgjedhor në kushtet e një qeverie teknike, ndërsa kundërshton votimin dhe numërimin elektronik.
Një tjetër kërkesë e opozitës lidhet me ndalimin e përdorimit të burimeve shtetërore gjatë fushatave zgjedhore. Demokratët propozojnë gjoba, ndëshkime penale dhe deri në heqjen e mandatit për kandidatët që përfitojnë nga këto burime, si dhe shpalljen e pavlefshme të zgjedhjeve në rastet kur shkeljet ndikojnë në rezultat.
Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore, i ngritur në nëntor të vitit 2025, ka mandat deri në fund të këtij muaji. Diskutimet zhvillohen në prag të zgjedhjeve vendore të 9 majit 2027, ndërsa mbeten ende për t’u trajtuar disa prej çështjeve kryesore të reformës.
Nga ana tjetër, Partia Socialiste ka vendosur si prioritet ndryshimet ligjore që lidhen me reformën territoriale, konkretisht formulën e përfaqësimit në këshillat bashkiakë. Sa i përket kërkesës së demokratëve për kalimin në sistemin proporcional kombëtar, socialistët janë shprehur të hapur për diskutim, por kanë propozuar si alternativë uljen e numrit të deputetëve në 101.
PS ka theksuar se ndryshimi i sistemit zgjedhor kërkon një diskutim më të gjerë, pasi do të sillte edhe ndryshime në Kushtetutë.