Përmes një postimi në rrjetet sociale, avokati Plarent Ndreca ka kritikuar kryeministrin Edi Rama, duke komentuar zhvillimet në mbledhjet e fundit të Asamblesë Kombëtare dhe Asamblesë së Tiranës të Partisë Socialiste. Në reagimin e tij, Ndreca i cilëson këto mbledhje si një “turp” për PS-në, duke e krahasuar atmosferën e krijuar me periudhën e 35 viteve më parë, kur në parti kishte fishkëllima ndaj Dritëro Agollit.
Ai shprehet se socialistët e kanë zgjedhur Ramën për t’i udhëhequr dhe jo për t’i fyer. Sipas tij, kryeministri duhej të kishte treguar qetësi dhe durim, duke dëgjuar arsyet e atyre që nuk e mbështetën gjatë protestave, në vend që t’u drejtohej me fyerje.
Avokati thotë gjithashtu se Rama ka folur për të gjatë Asamblesë Kombëtare dhe se ka marrë përsipër të ushtrojë kompetenca që, sipas tij, nuk i takojnë. Ndrecaj e akuzon kryeministrin për shkelje të statutit të Partisë Socialiste, të cilin, si kryetar i saj, duhej ta respektonte i pari.
Reagimi vjen në vijim të përplasjes publike mes Ndrecajt dhe Ramës, pasi avokati ka deklaruar se do të vijojë të mbrojë ligjërisht kryebashkiakun Erion Veliaj për aq kohë sa ky i fundit dëshiron, pavarësisht presioneve politike.
“Mbledhjet e fundit të Asamblesë Kombëtare dhe të Asamblesë së Tiranës ishin një turp për Partinë Socialiste të Shqipërisë. Partia u kthye 35 vjet pas, fiks në kohën e fishkëllimave kundër Dritëroit.
Socialistët e kanë vënë aty Edi Ramën për t’i udhëhequr, jo për t’i fyer. Me qetësinë dhe durimin që i takojnë një kryetari, mund t’i kishte dëgjuar arsyet pse nuk ishin me të gjatë protestave. Por iu hakërrye, i quajti “m…ër” dhe e vuri veten mbi partinë. Po nëse e mban veten më të madh se partia, pse i mbledh asambletë? Pse i thërret socialistët, kur i quan “m…ër” dhe nuk ua dëgjon dot “p…dhët”? Pse nuk del vetëm në zgjedhje? Pse nuk i merr vetë votat?
Foli për mua në Asamblenë Kombëtare. Mori përsipër të ushtronte kompetenca që nuk i takojnë dhe shkeli statutin që, si kryetar i partisë, duhej ta respektonte i pari.”, shkruan Ndreca.






