Dy persona janë arrestuar nga policia në kuadër të operacionit të koduar “Shëtitësit”, pasi dyshohen për vjedhjen e gjashtë bizneseve në Elbasan dhe Tiranë.
Sipas policisë, dy të arrestuarit Krenar Medja, 39 vjeç, dhe Erind Lluko, 18 vjeç, dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim, duke marrë shuma parash dhe produkte të ndryshme në dyqane, lokale dhe subjekte të tjera.
Në Elbasan, dy të arrestuarit dyshohet se kanë kryer tri vjedhje gjatë muajit nëntor.
Konkretisht, më 22 nëntor në një dyqan në lagjen “28 Nëntori”, më 20 nëntor në një tabakino në bulevardin “Aqif Pasha” dhe më 5 nëntor në një lokal në fshatin Vidhas.
Ndërkohë, Erind Lluko, 18 vjeç, dyshohet se është autor edhe i tri vjedhjeve të tjera në Tiranë. Sipas policisë, ngjarjet kanë ndodhur më 14 tetor në dy subjekte në rrugën e Kosovarëve dhe më 17 nëntor në një dyqan në rrugën “Liman Kaba”.
Gjatë kontrollit fizik ndaj 18-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa, një pistoletë sportive, një kaçavidë dhe një levë, të cilat dyshohet se përdoreshin për hapjen me forcë të dyerve të bizneseve.












