Huamarrja e brendshme pritet të ulet përsëri gjatë vitit 2027
Qeveria shqiptare parashikon të ulë huamarrjen në tregun e brendshëm financiar për vitin e ardhshëm.
Sipas projektbuxhetit të vitit 2027, vlera e përgjithshme e huamarrjes së re të parashikuar për t’u financuar në tregun e brendshëm është 48 miliardë lekë, nga 50 miliardë lekë që është shuma e huamarrjes së re të parashikuar në buxhetin e këtij viti, sipas aktit më të fundit normativ.
Huamarrja e brendshme pritet të ulet edhe në terma realë, në 1.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, nga 1.8% që është projeksioni më i fundit i buxhetit 2026.
Në tërësinë e vet, megjithatë, deficiti buxhetor parashikohet në nivele të përafërta, me 2.3% të PBB-së.
Borxhi publik në vitet e fundit ka ndjekur një tendencë të shpejtë në rënie, për shkak të politikës fiskale më konsoliduese, por sidomos për shkak të efektit të kursit të këmbimit. Forcimi i vazhdueshëm i Lekut e ka ulur vazhdimisht vlerën e borxhit në valutë të huaj.
Në relacionin e projektbuxhetit 2026, qeveria parashikon që borxhi publik në fund të këtij viti të arrijë në 52.5%, ndërsa në fund të vitit 2027 të pësojë një rënie të lehtë në 52.4%. Megjithatë, në një masë të madhe, ecuria e borxhit do të përcaktohet nga ecuria e kursit të këmbimit. Aktualisht, kursi i këmbimit Euro-Lek paraqitet në rënie vjetore me më shumë se 6%.
Ulja e mëtejshme e huamarrjes së tregun e brendshëm pritet t’i mbajë të dobëta presionet për rritjen e yield-eve nga kahu i kërkesës së qeverisë për financim.
Deri tani, viti 2026 është karakterizuar nga një ringritje e yield-eve të titujve të borxhit të qeverisë, sidomos pas tremujorit të dytë. Kjo rritje mund të shpjegohet kryesisht me rritjen e inflacionit dhe forcimin e pritshmërive për rritje të normave të interesit.
Ndërkohë, pas tremujorit të tretë, rritja është ndikuar pjesërisht edhe nga një ndryshim i balancave të kërkesës dhe ofertës. Ndërkohë që kërkesa e Ministrisë së Financave ka qenë disi më e lartë, pjesëmarrja, veçanërisht nga bankat, që janë financuesit kryesorë, ka ardhur në ulje.
Instrumenti kryesor i huamarrjes së brendshme, bonot 12-mujore, ka kaluar pragun e 3% dhe ak arritur aktualisht nivelin më të lartë të dy vitet e fundit.
Deri në fund të 9-mujorit balanca buxhetore publike ishte në suficit të zgjeruar, që arriti vlerën e 70.2 miliardë lekëve. Suficiti është rritur më tej me 54% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo ka krijuar teprica të bollshme likuiditeti për qeverinë. Ashtu siç ka ndodhur rregullisht pas vitit 2022, pritet që i gjithë deficiti buxhetor të shpenzohet në muajt e fundit të vitit dhe kryesisht në dhjetor.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









