Kryetari i PD-së, Sali Berisha, ka akuzuar mediat për manipulim të minutazhit televiziv të opozitës, duke pretenduar se në kohën që u atribuohet demokratëve përfshihen edhe dalje televizive të ish-funksionarëve të kësaj partie, të cilët sipas tij janë kthyer në mbrojtës të Edi Ramës.
Në një deklaratë, Berisha u ndal te disa emra konkretë, mes tyre ish-Spahiu, ish-Meçe, ish-Çupi dhe ish-Spahia, duke i akuzuar se shfaqen në studio televizive për të mbrojtur kryeministrin dhe për të zbatuar porositë e tij.
Sipas Berishës, këta persona nuk mund të konsiderohen përfaqësues të PD-së në llogaritjen e kohës televizive që u atribuohet forcave politike, pasi janë larguar nga partia dhe, sipas tij, tashmë veprojnë si avokatë të paguar të kryeministrit.
“Unë nuk them që ‘ish-ët’ e mi nuk kanë të drejtë të jenë në studio, në lajme, etj., por t’i llogaritësh ata për kohë PD-je, është mashtrim i madh publik”, deklaroi Berisha.
Ai pretendoi gjithashtu se socialistët nuk po dalin më në studio për të mbrojtur Ramën dhe se kryeministri ka gjetur si zëvendësues të tyre ish-anëtarë të PD-së, të cilët i cilësoi si “skuadron avokatësh me pagesë”.
Berisha e konsideroi të pandershme mënyrën se si mediat llogarisin minutazhin politik, duke argumentuar se nëse përjashtohen daljet e ish-funksionarëve të PD-së, rezultati i kohës televizive që i atribuohet opozitës do të ishte krejt tjetër.





