“S’më jepnin role sepse nuk jam e bardhë”/ Jennifer Lopez “ndez” rrjetin me deklaratën e saj, komentuesit e kritikojnë ashpër

23/11/2026 13:31

Këngëtarja dhe aktorja e njohur Jennifer Lopez ka shkaktuar një valë reagimesh në rrjetet sociale pas deklaratave të saj se prejardhja latine dhe fakti që nuk është e bardhë e kanë penguar të marrë role të rëndësishme në Hollywood.

Në një intervistë për gazetën prestigjioze The New York Times, ylli me origjinë portorikane u shpreh se mundësitë që i ofroheshin në fillimet e karrierës ishin shumë të kufizuara dhe se shpesh i është dashur të krijojë vetë hapësirën e saj në industrinë e filmit.

“Arsyeja, mendoj, është se thjesht nuk isha aktorja e zakonshme e bardhë”, deklaroi Lopez, duke shtuar se sipas saj kjo situatë vazhdon të jetë e pranishme edhe sot në Hollywood.

57-vjeçarja theksoi se industria e filmit ka bërë përparime në drejtim të diversitetit, por sipas saj, aktorët që nuk përputhen me disa standarde të caktuara vazhdojnë të përballen me vështirësi.

“Duhet të krijosh rrugën tënde. Nëse dua të bëj diçka, nuk pres që dikush të ma propozojë. Përpiqem ta realizoj vetë”, u shpreh ajo.

Megjithatë, pretendimet e këngëtares nuk u pritën mirë nga të gjithë. Shumë përdorues të rrjeteve sociale vunë në dyshim deklaratat e saj, duke kujtuar suksesin e madh që ajo ka arritur në Hollywood gjatë dekadave të fundit.

Bashkëprezantuesja e Fox News, Tomi Lahren, reagoi me ironi në platformën X, duke shkruar: “Hahaha, po, sigurisht”.

Ndërsa Oli London vuri në dukje se Lopez ka luajtur në 44 filma dhe se pasuria e saj vlerësohet në rreth 400 milionë dollarë. Kritika edhe më të ashpra erdhën nga aktorja Adrianne Curry-Rhode, e cila i cilësoi deklaratat e këngëtares si “mashtrim në një nivel tjetër”.

Edhe kritiku i filmit Christian Toto reagoi ndaj pretendimeve të saj në një prononcim për Fox News Digital. Ai theksoi se Lopez ka pasur një karrierë të vazhdueshme për më shumë se dy dekada, duke kaluar nga prodhimet e mëdha kinematografike te koncertet dhe muzika.

“Sa aktorë të papunë do të jepnin gjithçka për të siguruar qoftë edhe një pjesë të vogël të roleve që Hollywood-i i ka ofruar asaj?”, u shpreh ai.

Jennifer Lopez u bë e njohur ndërkombëtarisht me rolin e këngëtares Selena Quintanilla në filmin biografik “Selena”, në vitin 1997.

Më pas ajo u shfaq në një sërë prodhimesh të suksesshme, përfshirë “The Wedding Planner”, “Maid in Manhattan”, “Hustlers” dhe “Marry Me”, duke ndërtuar paralelisht edhe një karrierë të suksesshme muzikore.

Top Channel