Alarm për bombë në 450 shkolla në Gjermani dhe Danimarkë, nis hetimi me urgjencë

23/11/2026 13:46

Mbi 450 shkolla në Gjermani dhe disa institucione arsimore në Danimarkë janë përfshirë këtë të hënë në një valë kërcënimesh për bomba, të dërguara përmes e-mail.

Autoritetet policore në të dyja vendet kanë nisur hetimet, ndërsa deri më tani nuk ka prova për një rrezik konkret.

Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, policia në qytetin gjerman të Freiburgut konfirmoi se kërcënimet kishin prekur rreth 450 shkolla në të gjithë vendin.

“Për momentin, nuk ka asnjë provë që institucionet arsimore të kontaktuara po përballen me ndonjë kërcënim konkret”, deklaroi policia e Freiburgut.

Edhe policia e Berlinit dha të njëjtin vlerësim, ndërsa autoritetet e Turingisë u kërkuan shkollave të vijonin aktivitetin normal. Sipas policisë, qëllimi i autorëve duket të ketë qenë përhapja e frikës dhe panikut, pa pasur ndërmend të ndërmerrnin ndonjë veprim konkret.

Ndërkohë, policia daneze konfirmoi se po hetonte disa kërcënime për bomba ndaj shkollave në zona të ndryshme të vendit.

Edhe autoritetet daneze deklaruan se, bazuar në informacionet e deritanishme, nuk kishte arsye për shqetësim.

Rastet në Gjermani dhe Danimarkë vijnë në një periudhë kur disa vende evropiane janë përballur me kërcënime të ngjashme dhe sulme kibernetike që kanë prekur institucione dhe shërbime të ndryshme.

Javën e kaluar, më shumë se 10 shkolla në Spanjë u evakuuan pas marrjes së kërcënimeve për bomba përmes email-it. Ndërsa në fillim të këtij muaji, edhe mijëra shkolla në Itali morën mesazhe të ngjashme, duke bërë që disa institucione të evakuoheshin.

Top Channel