Close Menu
Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    Lajmet e fundit

    Moti i keq, Karakaçi: 52 fidera jashtë pune, pesë avionë devijojnë nga Rinasit

    Gjermania konfirmon koordinimin me SHBA-në për të ardhmen e KFOR-it

    Nis sistemi i shpejtë i pagesave bankare/ Pagesa dhe transferta nga telefoni, në pak sekonda, në çdo kohë

    Facebook X (Twitter) Instagram
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    • Aktualitet
      • Aktualitet
      • Politike
      • Ekonomi
      • Sociale
      • Fokus
    • Opinion
    • Lifestyle
      • Showbiz
      • Udhetim & Turizëm
      • Kulturë
      • Shëndet
      • Horoskopi
      • Dekor
      • Trende
      • Teknologji
    • Botë
      • Kosovë
      • Rajon
      • Botë
    • Sport
    • Troç
    Youtube
    Informohu siç duhetInformohu siç duhet
    You are at:Home » Gjermania konfirmon koordinimin me SHBA-në për të ardhmen e KFOR-it
    Botë

    Gjermania konfirmon koordinimin me SHBA-në për të ardhmen e KFOR-it

    November 23, 2026

    E ardhmja e trupave amerikane në Kosovë mbetet e paqartë, ndërsa Shtetet e Bashkuara po rishikojnë praninë e tyre ushtarake në Evropë.

    Gjermania konfirmon se është në koordinim të vazhdueshëm me Uashingtonin dhe aleatët e NATO-s për të ardhmen e misionit paqeruajtës, KFOR, por nuk sqaron nëse po diskutohet edhe reduktimi i trupave amerikane. “Forcat amerikane luajnë rol të rëndësishëm në KFOR”, tha një zëdhënës i Ministrisë gjermane të Mbrojtjes për Radion Evropa e Lirë.

    I pyetur nëse me aleatët është diskutuar mundësia e reduktimit të kontingjentit amerikan në Kosovë, ai tha: “Qeveria gjermane është në koordinim të ngushtë dhe të vazhdueshëm me NATO-n dhe aleatët e saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, lidhur me të ardhmen e KFOR-it”. Ai shtoi se hollësitë e planifikimit të misionit nuk mund të bëhen publike për arsye sigurie.

    Përgjigjja vjen pas konsultimeve të 17 nëntorit në Bruksel, ku aleatët e NATO-s diskutuan me zyrtarin e lartë të Pentagonit, Elbridge Colby, për të ardhmen e pranisë ushtarake amerikane në Evropë.

    Para takimit, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se priten ndryshime në numrin e trupave amerikane, por se përmasat e tyre mbeten të paqarta. Ai theksoi nevojën për koordinim me Uashingtonin, në mënyrë që të shmangen boshllëqet në mbrojtjen evropiane. Pas konsultimeve, Colby tha se shpreson që rishikimi i pranisë ushtarake amerikane në Evropë të përfundojë deri më 1 dhjetor.

    Ai nuk konfirmoi nëse do të ketë reduktim trupash, por tha se SHBA-ja duhet t’i shpërndajë forcat sipas nevojave të saj globale, përfshirë angazhimet në rajonin e Indo-Paqësorit.

    Megjithatë, ai theksoi se kjo nuk nënkupton tërheqjen e SHBA-së nga angazhimet në Evropë. A pritet reduktim i trupave amerikane në Kosovë? Autoritetet amerikane kanë paralajmëruar tashmë ndryshime në kontributin e tyre në KFOR.

    Në qershor, Komanda Evropiane e SHBA-së konfirmoi se do ta përshtatë gradualisht kontributin amerikan në mision, në përputhje me planet e NATO-s.

    Sipas një zyrtari të saj, përshtatja do të bëhet në faza, bazuar në vlerësimin e rrezikut. Në përgjigjen për Radion Evropa e Lirë më 16 qershor, ai nuk specifikoi numrin e ushtarëve që mund të preken nga ndryshimet. Një kërkesë tjetër për sqarime iu dërgua Departamentit amerikan të Mbrojtjes më 20 nëntor, por mbeti pa përgjigje.

    Ndërkohë, një burim i Radios Evropa e Lirë, i cili kërkoi të mbetet anonim, tha se ekziston një plan për reduktimin e ndjeshëm të pranisë ushtarake amerikane në Kosovë.

    Sipas tij, numri i pjesëtarëve amerikanë mund të ulet nga rreth 650 aktualisht në afërsisht 50 deri në shkurt të vitit 2028.

    Synimi, sipas burimit, është që brenda dy vjetësh SHBA-ja të ketë vetëm një rol të kufizuar ushtarak në Kosovë, ndërsa disa pozita mund të mbeten në shtabin e KFOR-it, në kampin Film City në Prishtinë. Radio Evropa e Lirë nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto informacione. Autoritetet amerikane dhe NATO-ja nuk kanë njoftuar publikisht për një plan të tillë.

    Çfarë ndryshimesh ka paralajmëruar NATO-ja?

    Në qershor, NATO-ja njoftoi se do ta përshtatë gradualisht praninë e saj ushtarake në Kosovë, me synimin që brenda një viti numri i trupave të kthehet në nivelet e para vitit 2023.

    Vendimi u arsyetua me përmirësimin e situatës së sigurisë. NATO-ja kishte dërguar përforcime në vitin 2023, pas përshkallëzimit të tensioneve në veri të Kosovës, përfshirë sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe sulmin e armatosur në Banjskë.

    Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë më 20 tetor, një zyrtar i NATO-s tha se misioni kishte rreth 4.600 ushtarë nga vendet anëtare dhe partnere. Sipas tij, ndryshimet do të jenë graduale dhe do të varen nga vlerësimet e sigurisë. Ato mund të pezullohen ose të kthehen mbrapsht, nëse situata në terren e kërkon këtë.

    Aleanca ka theksuar se mund ta përforcojë KFOR-in nëse rrezikohet siguria në Kosovë ose stabiliteti rajonal.

    NATO-ja nuk ka sqaruar se si do të ndikojë riorganizimi në kontingjentin amerikan, por ka mirëpritur kontributin afatgjatë të SHBA-së dhe angazhimin e trupave të reja amerikane në mision.

    A mund ta shtojë Gjermania praninë e saj?

    E pyetur nëse do të shqyrtonte dërgimin e më shumë ushtarëve në Kosovë, në rast të një reduktimi amerikan, Ministria gjermane e Mbrojtjes nuk dha përgjigje të drejtpërdrejtë.

    “Qeveria gjermane nuk spekulon për vendimet e mundshme të qeverive të tjera”, tha zëdhënësi për Radion Evropa e Lirë. Ai rikujtoi se Parlamenti gjerman, në qershor, e zgjati edhe për një vit mandatin e forcave gjermane në KFOR, duke lejuar dislokimin e deri 400 ushtarëve.

    Shtetet e Bashkuara udhëheqin Komandën Rajonale Lindje të KFOR-it, me seli në kampin Bondsteel, afër Ferizajt. Forcat amerikane janë të pranishme në Kosovë që nga viti 1999, kur NATO-ja dislokoi misionin paqeruajtës pas përfundimit të luftës. KFOR-i vepron në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    NATO-ja ka theksuar se, pavarësisht ndryshimeve të planifikuara, mandati i misionit dhe angazhimi i saj për sigurinë e Kosovës mbeten të pandryshuar./REL

    GJERMANIA KFOR koordinimin SHBA
    Share. Facebook WhatsApp
    Demo
    Postimet e reja

    Moti i keq, Karakaçi: 52 fidera jashtë pune, pesë avionë devijojnë nga Rinasit

    November 23, 2026

    Gjermania konfirmon koordinimin me SHBA-në për të ardhmen e KFOR-it

    November 23, 2026

    Nis sistemi i shpejtë i pagesave bankare/ Pagesa dhe transferta nga telefoni, në pak sekonda, në çdo kohë

    November 23, 2026

    “Alarm i kuq” në Danimarkë, shkollave u dërgohen mesazhe kërcënuese për bombë

    November 23, 2026
    Mos e humb
    Aktualitet October 16, 2026

    Kaos në aeroportin e Rinasit administruar nga Kastrati! 10 fluturime të anuluara drejt Italisë, pasagjerët pa informacion

    Kaos dhe pakënaqësi në Aeroportin Ndërkombëtar të Rinasit, i cili administrohet nga Kastrati Group, ku…

    Çfarë pritet? Ilegaliteti “ngrin” prej 10 ditësh në Shqipëri! Mbyllen bastet dhe Call Centerat, bien transaksionet me Kriptomonedha

    Dosja/ Biznesmeni Meqemeja i dha Ahmetajt 140 mijë euro! SPAK: Shpërblim për Inceneratorin e Fierit përmes shitjeve fiktive

    ALERT në Slloveni për VIPA Flips të Kosovës, kanë përmbajtje të alergjenësh. Produkti hiqet nga tregu

    Na ndiq
    • Facebook
    • Instagram
    • YouTube
    • TikTok
    RRETH NESH
    RRETH NESH

    Një shikim i thellë në botën e lajmeve, ku teknologjia dhe profesionalizmi takohen për të sjellë lajmet më të fundit dhe të rëndësishme brenda dhe jashtë Shqipërisë. Një burim i besueshëm për informacionin e saktë dhe analizat gjithëpërfshirëse.

    NIPT: M47705501A
    Email: radarlajme@gmail.com
    Kontakt: +355689008000

    HOROSKOPI

    Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

    Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju

    11/22: Data simbolike që mund të ndryshojë rrjedhën e gjërave për këto 5 shenja

    Aleanca Etike e Medias
    © Radar.al. dizenjuar nga 1001solutions

    Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.