Njëmbëdhjetë të burgosur në institucionet penitenciare në Shqipëri janë të diagnostikuar me HIV/AIDS. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të gjithë këta persona kanë qenë të diagnostikuar që përpara se të hynin në sistemin e burgjeve dhe asnjë rast nuk është infektuar gjatë vuajtjes së dënimit.
Në një informacion mbi trajtimin shëndetësor të kësaj kategorie, Drejtoria e Burgjeve sqaron se të gjithë të burgosurit që dyshohen si mbartës të HIV/AIDS i nënshtrohen menjëherë ekzaminimeve pranë Institutit të Shëndetit Publik.
Në rastet kur rezultojnë pozitivë, ata konsultohen me mjekë specialistë infeksionistë dhe marrin trajtimin përkatës sipas protokolleve mjekësore.
Mjekimi me antiretroviral sigurohet falas nga Spitali Infektiv në QSUT “Nënë Tereza”. Medikamentet tërhiqen një herë në muaj nga personeli shëndetësor i institucioneve të vuajtjes së dënimit.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, gjendja shëndetësore e 11 të burgosurve është e stabilizuar dhe ata mbahen nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të personelit mjekësor të institucioneve ku vuajnë dënimin.
Institucioni thekson se të burgosurit përfitojnë pa pagesë shërbimet e skemës së sigurimit shëndetësor, pasi konsiderohen persona ekonomikisht joaktivë në kuptim të legjislacionit në fuqi.
Trajtimi i personave me sëmundje infektive, përfshirë HIV/AIDS, hepatitet B dhe C dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme, kryhet sipas të njëjtave standarde që zbatohen në strukturat e shëndetit publik.
Çdo institucion i vuajtjes së dënimit ka shërbim shëndetësor dhe farmaceutik për parandalimin, diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve, si dhe për garantimin e higjienës dhe profilaksisë.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në bashkëpunim me shoqatën STOP/AIDS, zhvillon gjithashtu trajnime për personelin shëndetësor dhe psikosocial, si dhe depistime vullnetare të të burgosurve për sëmundjet infektive.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, në disa institucione janë ngritur laboratorë për kryerjen e testeve të shpejta, me qëllim identifikimin e hershëm të rasteve dhe parandalimin e përhapjes së sëmundjeve infektive në sistemin penitenciar.



