Aktakuzë ndaj tre personave në Prizren për kultivim të kanabisit, zbulohen 706 vazo në një shtëpi

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike, posedim të paautorizuar të armëve dhe ndihmë kryerësit pas kryerjes së veprës penale.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, dy nga të pandehurit, me inicialet I.M. dhe M.M., akuzohen se në bashkëkryerje kanë kultivuar bimën narkotike “Cannabis Sativa” në një shtëpi me qira në Prizren, me qëllim të prodhimit të narkotikëve.
Aktiviteti i dyshuar, sipas aktakuzës, kishte vazhduar nga një periudhë e pacaktuar deri më 2 prill 2026. I pandehuri I.M. dyshohet se kishte financuar këtë veprimtari duke siguruar pajisjet dhe materialet e nevojshme, ndërsa M.M. ishte marrë me instalimin e pajisjeve, mbjelljen dhe kultivimin e bimëve.
Gjatë kontrollit të realizuar më 2 prill 2026, në shtëpinë në fjalë është zbuluar një laborator i pajisur për kultivimin e kanabisit, ku janë gjetur gjithsej 706 vazo për kultivimin e bimëve narkotike.
Prej tyre, 450 vazo janë gjetur brenda shtëpisë, ndërsa 256 të tjera në një automjet të parkuar në oborrin e saj.
Përveç vazove, gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje për ndriçim, ngrohje dhe ventilim, preparate për rritjen e bimëve, pompa, pajisje matëse, materiale dhe shënime me udhëzime për kultivimin e kanabisit. Mostrat e bimëve të sekuestruara, sipas ekspertizës, kanë rezultuar pozitive për përmbajtje të kanabisit.
Prokuroria bën të ditur se në të njëjtën ditë, në një deponi në Prizren, janë gjetur edhe mbetje të djegura të bimëve narkotike, të cilat dyshohet se M.M. kishte tentuar t'i asgjësonte.
Dy të pandehurit akuzohen edhe për armëmbajtje pa leje. Gjatë kontrolleve, në shtëpinë e I.M. janë gjetur 27 fishekë, ndërsa në shtëpinë e M.M. është sekuestruar një pistoletë e konvertuar në armë zjarri, me karikator të zbrazët dhe dy fishekë.
Në këtë rast është i përfshirë edhe i pandehuri i tretë, K.S., i cili akuzohet për dhënie të ndihmës kryerësit pas kryerjes së veprës penale.
Sipas aktakuzës, më 31 mars dhe 1 prill 2026, K.S. dyshohet se kishte ndihmuar M.M. në transportimin e bimëve narkotike nga shtëpia deri në deponinë në Prizren, duke përdorur automjetin e tij, me qëllim të asgjësimit të tyre.
Prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit e vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Të tre personat janë të akuzuar, ndërsa përgjegjësia e tyre penale do të përcaktohet nga gjykata. /Telegrafi/


































