Qafë Thana, përtej kufirit – Sa tregtojnë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me njëra-tjetrën?

Politikë

Publikuar: 23/11/2026

Qafë Thana, përtej kufirit – Sa tregtojnë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me njëra-tjetrën?

Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut synojnë të lehtësojnë lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave përmes sistemit të ri të kontrollit kufitar “One Stop Shop” në Qafë Thanë. Gjatë vizitës së 22 nëntorit, kryeministri Edi Rama theksoi se kontrollet në një ndalesë të vetme do të reduktojnë pritjet në kufi. Ai rikonfirmoi gjithashtu mbështetjen e Shqipërisë për integrimin europian të Maqedonisë së Veriut.


Por sa të lidhura janë ekonomikisht dy vendet? Të dhënat e INSTAT-it tregojnë se gjatë vitit 2025 në Shqipëri u regjistruan rreth 963 mijë hyrje të shtetasve nga Maqedonia e Veriut, 7.1% më shumë se në vitin 2024. Në krahasim me vitin 2010, kur u regjistruan rreth 276 mijë hyrje, numri është rritur pothuajse 3.5 herë. Megjithatë, pesha e këtyre hyrjeve në totalin e hyrjeve të shtetasve të huaj ka zbritur nga 11.4% në 7.7%, pasi flukset nga vendet e tjera janë zgjeruar më shpejt.

Në tregti, tabloja është më e ndërlikuar. Vlera e eksporteve dhe importeve mes dy vendeve u rrit nga 10.2 miliardë lekë në vitin 2010 në 23.1 miliardë lekë në vitin 2025, pra më shumë se u dyfishua. Por kulmi u shënua në vitin 2022, me 34.8 miliardë lekë shkëmbime. Prej atëherë, tregtia është tkurrur me rreth 34%.

Rënia është veçanërisht e fortë te eksportet shqiptare. Nga 19.3 miliardë lekë në vitin 2022, ato zbritën në 9 miliardë lekë në vitin 2025, duke humbur mbi gjysmën e vlerës. Vetëm krahasuar me vitin 2024, eksportet ranë me 23.9%, ndërsa importet nga Maqedonia e Veriut u rritën me 16.7%, në 14.1 miliardë lekë. Si pasojë, deficiti tregtar arriti në 5.1 miliardë lekë, kundrejt 261 milionë lekëve një vit më parë.

Këto zhvillime tregojnë dy ritme të ndryshme në marrëdhëniet mes fqinjëve, më shumë lëvizje njerëzish, por më pak shkëmbime mallrash sesa në kulmin e vitit 2022.

Sistemi i ri në pikat doganore mund të lehtësojë transportin dhe qarkullimin ndërkufitar. Megjithatë, nëse kjo do të përkthehet në rritje të eksporteve shqiptare, mbetet për t’u parë.