22 Nëntori, Dita e Alfabetit, i gjeti të ndarë dy kryeministrat shqiptarë, Edi Rama dhe Albin Kurti, edhe pse të dy ishin pjesë e eventeve të organizuara në Manastir në Maqedoninë e Veriut. Me axhenda të ndara, Rama dhe Kurti shmangën njëri-tjetrin duke mos u përfshirë në asnjë aktivitetet të përbashkët.
Kryeministri i Shqipërisë zhvilloi takim me kreun e BDI-së Ali Ahmeti në opozitë, por edhe Izet Mexhitin dhe Bilall Kasamin, të koalicionit VLEN.

Ndryshe nga Rama, kryeministri i Kosovës zhvilloi takime me Kasamin dhe Mexhitin, duke shmangur Ali Ahmetit.
Në një koncert të zhvilluar me rastin e 22 Nëntorit, i pranishëm ishte vetëm kryeministri Albin Kurti, i cili mbajti dhe një fjalim para të pranishmëve. Ndërsa Rama, kishte zgjedhur të përfaqësohej me ministrin e Kulturës Blendi Gonxhe.

Ndërsa Rama, mori pjesë në takime me të rinjtë nga trojet shqiptare në “Europe House” dhe zhvilloi po ashtu një vizitë në Shtëpinë Muze të Alfabetit Shqip në Manastir.
Nuk dihet nëse është thjesht rastësi e axhendave të paracaktuara apo ka qenë një shmangie e qëllimshme nga të dyja palët. Por, dukshëm, akulli mes Ramës dhe Kurtit nuk është thyer ende.












