Atentati në Fier, gjenden dy armë në makinën e djegur, dyshohet se janë përdorur nga autorët
Dy armë zjarri janë gjetur në makinën e djegur në dalje të qytetit të Fierit.
Armët, që dyshohet se janë përdorur nga autorët për të ekzekutuar Selami Hasanin, i njohur në Fier me nofkën “Sel Çami” ose “Seli i Malit”, janë marrë nga grupi hetimor.
Ngjarja e rëndë është regjistruar mëngjesin e kësaj të hëne në lagjen “1 Maji” në qytetin e Fierit. Hasani u ekzekutua në derën e shtëpisë, ndërsa i plagosur mbeti edhe nipi i tij.
Deri më tani, hetimet janë shtrirë në pistën e hakmarrjes, ndërsa mësohet se janë ushtruar kontrolle edhe në banesën e “Ben Qimes”, nipi i të cilit është vrarë nga Hasani.
Selami Hasani nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Ai ishte dënuar me 25 vite burg për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur më 25 mars 2002, në zonën e njohur si “Sheshi i Valutës” në Fier. Gjatë një përplasjeje me armë zjarri mbetën të vrarë Julian Isufaj, nipi i Ben Qimes, dhe kambisti Esat Tare. Ndërsa Bledar Kastrati dhe Taip Sulaj mbetën të plagosur, ky i fundit kalimtar i rastit.
Sipas dosjes hetimore, në ngjarje u përfshinë Selami Hasani dhe Pëllumb Yzeiraj. Përplasja dyshohej se kishte si motiv hasmërinë e vjetër mes familjeve Hasani dhe Isufaj.




