Më 23 nëntor 2026, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në ceremoninë zyrtare të lançimit të platformës TIPS Clone, të organizuar nga Banka e Italisë në Pallatin Koch, në Romë.

Me ftesë të Guvernatorit të Bankës së Italisë, Fabio Panetta, në ceremoni ishin të pranishëm drejtuesit e bankave qendrore të pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përkatësisht: Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko; Guvernatorja e Bankës Qendrore të Bosnjës dhe Hercegovinës, Jasmina Selimović; Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili; Guvernatorja e Bankës Qendrore të Malit të Zi, Irena Radović; dhe Guvernatori i Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Trajko Slaveski.

Kjo datë shënon edhe vënien në funksionim nga Banka e Shqipërisë të sistemit të pagesave të menjëhershme TIPS Clone, i cili në vendin tonë do të njihet si sistemi IPSA. Sistemi u mundëson qytetarëve dhe bizneseve të kryejnë transferta brenda vendit në kohë reale, 24 orë në ditë, çdo ditë të vitit, përfshirë fundjavat dhe festat zyrtare. Fondet kalojnë në llogarinë e përfituesit brenda pak sekondash.

Me këtë rast, Guvernatori Sejko theksoi se, pas anëtarësimit në SEPA që e afroi Shqipërinë me tregun evropian të pagesave, vënia në funksionim e sistemit IPSA përbën një hap të mëtejshëm në modernizimin e infrastrukturës së pagesave brenda vendit. Ai nënvizoi se qytetarët mund t’i kryejnë transfertat e përditshme në çdo kohë, ndërsa bizneset mund t’i përdorin fondet menjëherë pas marrjes së pagesës.

Platforma TIPS Clone, e zhvilluar dhe e operuar nga Banka e Italisë, përdor të njëjtën teknologji si shërbimi TIPS i Eurosistemit. Përdorimi i kësaj teknologjie mbështet përafrimin e vendeve pjesëmarrëse me standardet evropiane në fushën e pagesave dhe krijon kushtet për pjesëmarrjen e tyre të mundshme në TIPS në të ardhmen.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Projekti në Shqipëri u realizua nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën e Italisë dhe Bankën Qendrore Evropiane, me mbështetjen e Bankës Botërore. Guvernatori Sejko falënderoi institucionet partnere për bashkëpunimin dhe ekspertizën e ofruar, si dhe ekipin e Bankës së Shqipërisë dhe bankat tregtare për kontributin në vënien në funksionim të sistemit.

Sipas një studimi të Bankës së Shqipërisë, të kryer në bashkëpunim me Bankën Botërore, kalimi nga pagesat me para fizike dhe transfertat në sportel drejt pagesave elektronike mund t’i sjellë ekonomisë kursime prej rreth 400 milionë eurosh. Sistemi IPSA e lehtëson këtë kalim duke i bërë pagesat elektronike më të shpejta dhe më të aksesueshme.

Për të kryer një transfertë të menjëhershme, klientët mund të zgjedhin opsionin përkatës në aplikacionin e bankës së tyre. Tarifa për një transfertë të menjëhershme nuk do të jetë më e lartë se ajo për një transfertë të zakonshme në të njëjtën monedhë dhe me të njëjtat karakteristika.

Ndërkohë, transfertat e menjëhershme me vlerë deri në 40 mijë lekë, të kryera nëpërmjet aplikacionit të bankës, ofrohen pa komision.

Banka e Shqipërisë fton qytetarët dhe bizneset të informohen pranë bankave të tyre për mënyrën e përdorimit të shërbimit të pagesave të menjëhershme.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb