Qeveria ka dërguar në Kuvend nismën me ndryshimet që kërkon të bëjë në ligjin për sigurinë kibernetike. Në arsyetimin e Këshillit të Ministrave, shpjegohet se nga zbatimi në praktikë i ligjit janë evidentuar disa problematika.
Nisma synon të forcojë ndjeshëm arkitekturën kombëtare të sigurisë kibernetike përmes krijimit të një Grupi Ndërinstitucional të Inteligjencës Kibernetike, i cili mundëson shkëmbimin e informacionit strategjik, vlerësimin e kërcënimeve dhe koordinimin e politikave të sigurisë në nivel kombëtar.
Ligji shtrin efektet edhe te pushteti vendor, ndërsa institucionet publike dhe private do të duhet të raportojnë çdo incident, qoftë edhe minor.
AKSK do të koordinojë shkëmbimin e informacionit, duke bërë ndërlidhësin Qeverisë dhe institucioneve të tjera të inteligjencës, informon A2.
Për shkëmbimin e informacionit për evidentimin e sulmeve potenciale kibernetike, pranë Autoritetit mblidhet grupi i bashkëpunimit për inteligjencën kibernetike, i cili përbëhet nga përfaqësues të institucioneve të mëposhtme:
- a) Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike;
- b) Ministrisë përgjegjëse për punët e jashtme;
- c) Ministrisë përgjegjëse për punët e brendshme;
ç) Shërbimit Informativ të Shtetit;
- d) Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura;
- dh) Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.
Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit do të kenë detyrimin të dorëzojnë pranë AKSK-së vetëdeklarimin e zbatimit të masave në kuadër të sigurisë kibernetike.
Operatorët e infrastrukturave kritike dhe të rëndësishme të informacionit kanë detyrimin të deklarojnë pranë Autoritetit mënyrën e hostimit e të administrimit të sistemeve, rrjeteve dhe infrastrukturës së informacionit, duke përfshirë:
- a) identifikimin e subjektit hostues ose të administratorit të infrastrukturës teknologjike;
- b) llojin e hostimit dhe vendndodhjen e infrastrukturës;
- c) masat teknike dhe organizative të zbatuara për sistemet e hostuara.
Kur konstaton shkeljen e dispozitave, AKSK do të ketë të drejtën të vendosë masa administrative që mund të shkojnë nga 500.000 deri në 10.000.000 lekë të reja.










