Sigurimet Shoqërore, falje e kamatëvonesave/Fermerët mund të shlyejnë detyrimet e prapambetura deri në fund të vitit 2026
Fermerët që plotësojnë kushtet ligjore mund të shlyejnë detyrimet e prapambetura për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore pa kamatëvonesa dhe penalitete.
Skema përfshin periudhën 1 janar 2015–31 dhjetor 2024, me kusht që pagesa e plotë të kryhet deri më 31 dhjetor 2026. Specialistët e Drejtorisë së Sigurimeve Shoqërore në Korçë bëjnë të ditur se kjo mundësi ka rezultuar e suksesshme për fermerët.
“Jemi në fund të vitit 2026 dhe fermerët kanë edhe pak ditë kohë për të paguar kontributet dhe për të blerë vitet kontributeve, që nga 1 tetori i vitit 1993 deri në fund të vitit 2026, pa paguar kamatëvonesa, por vetëm vlerën principale. Kjo vlerë është 3 200 lekë në muaj për zonat fushore dhe 2 740 lekë për zonat malore, ku përfshihet edhe rrethi i Kolonjës. Të drejtën për të përfituar nga kjo mundësi e kanë fermerët që plotësojnë kushtet për t’u siguruar si të vetëpunësuar në bujqësi. Kjo do të thotë se ata duhet të kenë tokë në pronësi, me qira ose në përdorim. Në këtë mënyrë, mund të sigurohen si të vetëpunësuar në bujqësi pa paguar kamatëvonesa”, u shpreh Riza Ashimi, Specialist i DRSSH Korçë.
Drejtoria e Sigurimeve Shoqërore u bën apel fermerëve që plotësojnë kushtet të përfitojnë nga kjo lehtësi brenda afatit, duke shlyer detyrimet pa kosto shtesë dhe duke garantuar vitet e nevojshme të sigurimit për përfitimin e pensionit.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




