11 të burgosur me HIV/AIDS në Shqipëri, Burgjet: Ja ku janë infektuar dhe si trajtohen!
Njëmbëdhjetë persona që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare janë diagnostikuar me HIV/AIDS. Të dhënat janë konfirmuar zyrtarisht nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, e cila sqaron se të gjithë të prekurit e kanë marrë infeksionin përpara se të futeshin në sistemin penitenciar.
Sipas informacionit të bërë publik përmes regjistrit të transparencës, aktualisht në institucionet e vuajtjes së dënimit në vend ndodhen 11 persona të diagnostikuar me HIV/AIDS.
Drejtoria e Burgjeve thekson se asnjëri prej tyre nuk është infektuar gjatë qëndrimit në qeli, pasi të gjithë kanë rezultuar pozitivë që në kohën kur ndodheshin në liri.
Sa i përket kujdesit shëndetësor, institucioni bën me dije se të 11 të burgosurit marrin rregullisht trajtim me medikamente antiretrovirale, të cilat sigurohen falas përmes sistemit shëndetësor publik.
Trajtimi realizohet në bashkëpunim me Spitalin Infektiv pranë QSUT-së, ndërsa gjendja shëndetësore e personave të diagnostikuar monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga personeli mjekësor i burgjeve.
Çështja ishte ngritur më herët nga avokati i ndjerë Saimir Visha, ndërsa tashmë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka dhënë edhe konfirmimin zyrtar mbi numrin e personave të prekur dhe mënyrën se si trajtohen.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



