Ministri i Jashtëm grek, Giorgos Gerapetritis, ka këmbëngulur se zgjerimi i ujërave territoriale të Greqisë deri në 12 milje detare në Detin Jon është një “e drejtë e patjetërsueshme dhe e njëanshme”, e cila buron nga e Drejta Ndërkombëtare e Detit.
Në një intervistë të dhënë dy ditë më parë për gazetën Ta Nea, përpara takimit të sotëm me ministrin e Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, Gerapetritis deklaroi se Greqia po përgatitet për “mbrojtjen e interesave kombëtare” dhe se vendi do të vijojë të zgjerohet.
Ai tha se kjo strategji është reflektuar edhe në nisma konkrete, përfshirë zgjerimin e ujërave territoriale në Detin Jon deri në Kepin Tainaro, si dhe në qëndrimin e Greqisë në Egje dhe Mesdheun Lindor.
“E kam thënë shumë herë, zgjerimi i ujërave territoriale deri në 12 milje detare është një e drejtë e patjetërsueshme dhe e njëanshme e Greqisë që rrjedh nga e Drejta Ndërkombëtare e Detit, dhe ushtrimi i saj do të kryhet në mënyrën dhe në kohën e zgjedhur nga shteti grek. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme, ne kemi një plan dhe po përgatitemi metodikisht për të mbrojtur interesat kombëtare të atdheut në mënyrën më të mirë të mundshme”, deklaroi Gerapetritis.
Ai shtoi se strategjia greke është reflektuar tashmë në iniciativa konkrete, si zgjerimi i ujërave territoriale, zbatimi i argumenteve të Greqisë në Egje dhe Mesdheun Lindor, forcimi i prestigjit ndërkombëtar dhe rritja e kapaciteteve parandaluese.
“Asnjë qeveri tjetër nuk ka guxuar të bëjë kaq shumë në një kohë kaq të shkurtër politike. Greqia është rritur dhe do të vazhdojë të rritet”, u shpreh ministri.
Në një intervistë për Report TV më 20 nëntor, ministri i Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, deklaroi se për çështjen e kufirit detar me Greqinë është ngritur tashmë një ekip negociator.
“Është ngritur ekipi negociator dhe presim të marrim dakordësinë e Presidentit të Republikës. Në ekipin negociator shqiptar bëjnë pjesë përfaqësues të një numri të madh institucionesh. Në ekip diskutohet me hollësi çdo aspekt i këtij procesi që, siç mund ta merrni me mend, është shumë kompleks. Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord që në këtë rast t’i drejtohen Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Shumë shpejt do të biem dakord për mënyrën se si do të procedojmë, për hapat që do të ndjekim dhe për qasjen e secilit vend”, u shpreh Hoxha.
Kryeministri Edi Rama e konfirmoi gjithashtu çështjen e pazgjidhur nga Dublini më 11 nëntor, duke e cilësuar atë si një problem që ende kërkon zgjidhje.
Në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm, Greqia do të marrë presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian. Gerapetritis tha se përgatitjet kanë nisur që në fillim të vitit 2025 dhe po zhvillohen intensivisht, si në aspektin organizativ, ashtu edhe në atë politik.
“Që nga fillimi i vitit 2025, Ministria e Punëve të Jashtme ka punuar intensivisht për të përgatitur presidencën greke të Këshillit të BE-së, si në nivelin organizativ ashtu edhe në atë politik, në mënyrë që vendi të jetë plotësisht i përgatitur për të përmbushur kërkesat e tij. Institucionet kanë vazhdimësi dhe një presidencë e suksesshme greke, një qëllim i vërtetë kombëtar, nuk mund të varet nga ciklet zgjedhore”, deklaroi ai.
Ministri tha se presidenca greke do të përkojë me vendime të rëndësishme evropiane për buxhetin, autonominë strategjike, mbrojtjen e përbashkët, konkurrueshmërinë, zgjerimin, migracionin dhe sigurinë energjetike.
Ai theksoi se zgjedhjet e ardhshme në Greqi do të përcaktojnë edhe se cila qeveri do të drejtojë presidencën evropiane dhe do të jetë në gjendje ta përdorë atë për forcimin e interesave kombëtare dhe thellimin e integrimit evropian.
“Kjo pyetje padyshim do të jetë ndër ato që populli grek do të thirret t’u përgjigjet në zgjedhjet e ardhshme. Të zgjedhë politikat, por edhe individët, të cilët në momente trazirash gjeopolitike globale kanë njohuritë, përgjegjësinë dhe kalibrin ndërkombëtar për t’i dhënë një gjurmë kombëtare momentit të madh të presidencës greke të Këshillit Evropian”, përfundoi Gerapetritis.