Pasioni për motorët i kufizoi lëvizjen! Historia e Mert Xhiriqit, mbeti i paralizuar pas aksidentit por nuk u dorëzua: S’i tregova askujt…

23/11/2026 15:58

Një aksident i rëndë me motor ia ndryshoi jetën brenda pak sekondash, por nuk ia shoi pasionin për sportin dhe dëshirën për të ecur përpara.

Mert Xhiriqi, me origjinë nga Tropoja dhe banues në Shkodër, ka rrëfyer në emisionin “Shqipëria Live” sfidat e vështira që ka kaluar pas aksidentit, operacionet e shumta, dhimbjet dhe muajt e gjatë të rikuperimit.

Edhe pse sot lëviz me karrocë me rrota, Merti nuk është dorëzuar. Ai vazhdon të shkojë në palestër dhe të stërvitet rregullisht, duke e konsideruar aktivitetin fizik një pjesë të rëndësishme të jetës dhe rikuperimit të tij.

Dikur pasionant i garave me motorë, sot ai po përpiqet të përshtatet me një realitet të ri, pa hequr dorë nga ëndrrat dhe planet për të ardhmen.

“Pasioni për motorët ka qenë që në fëmijëri. Jemi marrë gjithmonë me motorë, nga kategoritë më të vogla deri te më të mëdhatë. Bashkë me kushërinjtë kemi vazhduar edhe me garat, por nuk zgjati shumë. Për rreth një vit e gjysmë jemi marrë me gara, pasi federata nuk na krijonte shumë mundësi për të konkurruar. Megjithatë, kemi kaluar mirë, kemi bërë stërvitje në pistat e Vaqarr-it dhe e kemi shijuar atë periudhë.

Unë nuk e kam parë kurrë si çështje niveli. E kam bërë thjesht për pasion. Nuk kam hyrë aty për të qenë më i miri. Dëshira ime ishte të isha mes pilotëve, në grupin tim, me pilotët më të mirë të kohës. E shijoja në maksimum. Ideja ishte që, kur ishe aty, harroje gjithçka tjetër. Ajo ishte koha më e bukur.

Edhe tre muajt e fundit para aksidentit kanë qenë tre muajt më të bukur të jetës sime. Gjithçka po shkonte mirë. Punoja, jetoja, merresha me bizneset e mia dhe nuk më mungonte asgjë. Isha i lumtur. Vërtet isha i lumtur.

Por ka sprova në jetë. Sprovat vijnë për të të treguar sa i fortë je, sa mund të durosh. Megjithatë, këto gjëra mua nuk më bëjnë të dorëzohem.

Një mëngjes u çova dhe erdha në garazhin këtu. Po rrija, kur vëllai më pyeti nëse do të shkonim te berberi. Shkuam të dy, sepse zakonisht qetheshim bashkë. Kur po ktheheshim, ishim të dy me motorë dhe ai më tha të shkonim të takonim një shok.

Pastaj më tha: “Hajde, shkojmë te garazhi, se kam punë atje dhe do të punojmë”. Unë në fakt nuk doja të shkoja, por mendova se mos i mbetej hatri dhe pranova.

Në momentin që u nisëm, ai shkoi përpara. Unë po ecja pas tij, me rreth 20 km/orë. Nuk e vura re një makinë që kishte dhënë gaz dhe po hynte në rrugicë për të hyrë në parking. Makina më preku gomën e përparme të motorit dhe në atë moment rashë në tokë.

Të them të drejtën, i mbaj mend vetëm disa sekonda nga ajo që ndodhi. Një grua që ishte aty më tregoi më vonë gjithçka. Në momentin që rashë, makina dha gaz dhe më kaloi me rrotë sipër. Më theu shtyllën kurrizore dhe shpatullën. Madje, më kishte mbetur në trup edhe shenja e gomës.

Kur u çova, qesha. Sinqerisht, qesha. Thashë: “Faleminderit Zotit që nuk i ndodhi vëllait, sepse ai kishte kaluar shumë shpejt përpara meje”. U mundova të ngrihesha në këmbë, por këmbët nuk më lëviznin.

Erdhën shumë njerëz për të më ndihmuar. U thashë të mos më lëviznin, sepse e kuptova menjëherë që kisha dëmtuar shtyllën kurrizore. Dëgjova një kërcitje dhe e ndjeva menjëherë dëmtimin.

Shyqyr Zotit, gjithçka kaloi mirë. Nuk e përjetova me traumë apo mërzi. Shkova në spital pasdite, rreth orës 16:00, dhe të nesërmen iu nënshtrova menjëherë operacionit.

Në ato momente nuk ndjeja asgjë, sepse vinin shumë njerëz për të më parë. Pas operacionit qëndrova dy javë në spital. Isha aq i lumtur kur shihja gjithë ata njerëz që vinin për të më takuar. Kanë ardhur rreth 300-400 veta dhe unë vetëm qeshja.

Edhe kur flija, babai më zgjonte dhe më thoshte se kishin ardhur njerëz për të më parë, që të zgjohesha e t’i respektoja. Kur u ktheva në Shkodër, pas dy-tre javësh fillova t’i ndieja më shumë dhimbjet dhe mungesën e ndjeshmërisë.

Mendoja se një ditë do të vinte përsëri koha kur do të bëhesha mirë. Nuk duhet të thuash kurrë “jo” dhe as të mërzitesh. Ky është gabimi më i madh që mund të bësh në jetë. Zoti është shumë i madh. Për ata që besojnë te Zoti, kjo ka kuptim; për ata që nuk besojnë, nuk kam çfarë të them.

Duhet të besosh, sepse edhe unë kam vuajtur shumë dhe kam kaluar disa operacione. Ky nuk ishte operacioni im i parë, por i katërti. E kam parë që Zoti të jep forcë, durim dhe kurajë për t’i përballuar vështirësitë.

Pas operacionit të parë që bëra në Shqipëri, qëndrova tre muaj në Shkodër, por nuk pata asnjë lloj rikuperimi. Kisha vetëm dhimbje dhe nuk flija asnjë orë. Për tre muaj, në shtëpinë time, nuk bëra gjumë të qetë.

Pastaj shkova në Turqi, ku bëra një tjetër operacion. Fillimisht mendohej se do të qëndroja një muaj për terapi, por pas rreth një jave u krijua një grumbullim gjaku, pasi ishte shtypur një nerv. Gjysma e trupit nuk kishte ndjeshmëri.

Të dielën bëra një skaner dhe doktori më tha se duhej të hyja menjëherë në sallën e operacionit, sepse gjendja ishte përkeqësuar shumë dhe nuk mund të prisnim deri të hënën. Kështu bëra operacionin e dytë. Operacioni i parë zgjati 11 orë, ndërsa i dyti zgjati edhe më shumë.

Pasi e përfundova, qëndrova edhe disa ditë dhe u ktheva në Shqipëri. Pas rreth dy muajsh ndodhi diçka që më tronditi shumë.

Po pija kafe me shokët në Shkodër. U ula të merrja një çakmak nga toka dhe aty kuptova se diçka nuk shkonte. Mbeta i shtangur. Nuk prisja që të ndodhte ajo gjë. U përpoqa të drejtohesha dhe të lëvizja përsëri, por nuk kisha çfarë të bëja. Duhej vetëm të mundohesha ta përballoja.

Pastaj shkova në shtëpi dhe i thashë mamit: “Mami, të shkojmë të bëjmë një vizitë në Itali, sepse nuk jam mirë”.

Nuk i tregova asgjë askujt në familje dhe as shoqërisë. Vetëm kur shkova në Itali ua tregova. Më vonë, pas tre-katër muajsh, mësova se duhej të prisja edhe tetë muaj për t’u operuar.

Pas tetë muajsh iu nënshtrova operacionit, i cili përfundoi me sukses. Mjekët ma stabilizuan plotësisht shtyllën kurrizore me shufra dhe vida, në mënyrë që të mos kisha më përkulje. Më vendosën tri shufra nga 50 centimetra dhe 18 vida speciale.

Për mua jeta duket krejt normale. Nuk e ndiej fare praninë e shufrave apo të vidave në shtyllën kurrizore. Sigurisht, kam dhimbje nervore, sepse nervat e shtyllës kurrizore janë të dëmtuar dhe të shtypur. Por, pak nga pak, me palestër dhe teknologji, shpresoj t’i rikuperojmë. E vetmja mënyrë është puna dhe stërvitja e vazhdueshme.

Kam njohur njerëz që kanë kaluar më shumë se 20 vjet në karrocë me rrota. Kam biseduar me ta dhe i kam pyetur për përvojën e tyre dhe mënyrën si e përballojnë jetën.

Rutina ime është e thjeshtë: shtëpi, palestër, dal pak te garazhi, rri me vëllain, e shoh dhe e ndihmoj për ndonjë punë të vogël. Takohen edhe me shokët. Kjo është jeta ime për momentin. Po e shijoj, derisa të gjej një mundësi për të nisur ndonjë biznes që përshtatet me gjendjen time dhe përdorimin e karrocës me rrota.

Më kujtohet një herë, kur isha në Tiranë, rashë në shtëpi dhe nuk kisha askënd pranë. Nuk kisha as mundësi të ngrihesha e të hipja në divan. Ishte pas operacionit të parë. Qëndrova aty për rreth gjysmë ore, duke menduar se si mund të ngrihesha.

Pastaj, pak nga pak, fillova të provoja dhe të mësoja. Të nesërmen arrita të ulesha dhe të ngrihesha vetë. E kupton? E mësova menjëherë, duke provuar.

Nuk ishte diçka e mërzitshme. Përkundrazi, ishte një përvojë e bukur, sepse njeriu mëson vazhdimisht gjëra të reja. Për mua, edhe kjo është pjesë e jetës”, tha ai për Shqipëria Live.

Top Channel