Historia e një kombi nuk matet vetëm me datat që shënojnë kalendarin, por mbi të gjitha me sakrificat dhe qëndresën e brezave që luftuan për liri. Në prag të 29 Nëntorit, Ditës së Çlirimit të Shqipërisë, vlerat e antifashizmit dhe rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike u vendosën në qendër të një konference, të zhvilluar në ambientet e Akademisë së Shkencave.
Veprimtaria filloi nën tingujt e himnit kombëtar ndërsa pjesëmarrës ishin historianë, studiues dhe personalitete të jetës publike.
Nënkryetari i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve të Luftës dhe Pasardhësve të tyre, Idajet Beqiri, vuri në pah rëndësinë historike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke theksuar se populli shqiptar kontribuoi me sakrifica të jashtëzakonshme në çlirimin e vendit dhe rifitimin e pavarësisë.
“Çeta e parë partizane në të gjithë Europën është krijuar në Pezë, në qershor të vitit 1940. Është një vlerë që na bën krenarë. Populli shqiptar, i mobilizuar në Ushtrinë Antifashiste Nacionalçlirimtare, e çliroi truallin e vet me forcat e veta.”, tha Idajet Beqiri, nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve të Luftës.
Historiani Paskal Milo u përqendrua te përgjegjësia për të ruajtur dhe përcjellë këtë trashëgimi historike te brezat e rinj. Ai ngriti dhe shqetësimin se ka përpjekje për të shtrembëruar interpretimin e ngjarjeve të Luftës së Dytë Botërore.
“Ato rrezikohen nga harresa, nga dobësimi i kujtesës institucionale, nga përdorimi politik i historisë dhe nga përpjekjet për t'u ndryshuar kuptimin ngjarjeve të luftës.”, tha historiani Paskal Milo.
Milo theksoi gjithashtu se nderimi i historisë nuk duhet të kufizohet vetëm në përkujtimet ceremoniale, por të shoqërohet me politika të qëndrueshme institucionale, dokumentim dhe edukim historik.










Komente
Komento