Vendosni fjalën kyçe....

Zbulohet laborator nëntokësor i kanabisit në Shkodër, arrestohen 10 persona


Një ambient nëntokësor me hyrje të kamufluar, i përshtatur për kultivimin e kanabisit dhe përpunimin e lëndës narkotike, është zbuluar nga Policia e Shkodrës në zonën e njohur si “Kanali i Drinit”.

Në kuadër të operacionit të koduar “Labirinti”, janë arrestuar 10 persona dhe janë sekuestruar rreth 2 600 bimë kanabis dhe 170 kilogramë lëndë narkotike e përpunuar.

Operacioni u organizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Shkodër dhe Forcën e Posaçme “Shqiponja”. Pas informacioneve të siguruara në rrugë policore, u kryen kontrolle në dy objekte në zonën e “Kanalit të Drinit”.

Gjatë kontrollit në njërën prej tyre, një magazinë, efektivët zbuluan një hyrje të fshehur që të çonte në një ambient nëntokësor. Ky ambient ishte ndarë në dy pjesë: njëra e përshtatur për kultivimin e bimëve të kanabisit me anë të llambave, ndërsa pjesa tjetër përdorej për përpunimin e lëndës narkotike.

Në këtë ambient u arrestuan në flagrancë 10 persona:

  • D. K., 36 vjeçe, dhe M. P., 38 vjeçe, banuese në Gjirokastër;
  • A. K., 61 vjeç, E. K., 41 vjeç, dhe R. D., 28 vjeç, banues në Cërrik;
  • A. G., 37 vjeç, banues në Tiranë;
  • A. L., 46 vjeç, banues në Poliçan;
  • F. L., 18 vjeç, dhe A. T., 30 vjeç, banues në Ishull-Lezhë;
  • E. T., 25 vjeç, banues në Mirditë.

Nga verifikimet policore rezultoi se A. L., 46 vjeç, ishte shpallur më parë në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan rreth 2 600 bimë të dyshuara narkotike kanabis, të kultivuara në vazo, si dhe 170 kilogramë lëndë bimore e përpunuar, e ambalazhuar në 10 thasë plastikë.

Hetimet vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari.