Gjykata Themelore në Gjilan ka vendosur të lërë për një muaj në paraburgim Endrit Azemin, i dyshuar për veprën penale të mashtrimit. Sipas vlerësimit të gjyqtarit qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase. Sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Gjilanit, gjatë periudhës nga data 9 deri më 21 nëntor 2026, Endrit Azemi me dashje dhe në vazhdimësi ka mashtruar qytetarë të ndryshëm, duke sajuar se vuante nga leukemia akute dhe duke prezantuar dokumentacion të rremë nga një spital në Stamboll. Përmes hapjes së një llogarie në platformën “GoFundMe” dhe organizimit të grumbullimit të mjeteve financiare në qytetin e Gjilanit, ai dyshohet se ka përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej rreth 190 mijë eurosh, përmes platformës online dhe aktivitetet në teren.