Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka zhvilluar një takim në Bundestagun gjerman me Peter Beyer, kryetarin e Grupit të Miqësisë së Bundestagut me Parlamentin Shqiptar, ku në fokus të diskutimeve ishte rruga e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se Gjermania mbetet një nga mbështetëset kryesore të Shqipërisë në procesin e integrimit europian, por njëkohësisht kërkon që ky proces të jetë real, gjithëpërfshirës dhe i mbështetur në meritokraci.
“Gjermania nuk është vetëm mbështetëse e Shqipërisë, por është edhe kërkuesja më e madhe që procesi i integrimit të jetë real dhe i plotë, duke ndjekur procesin me lupën e meritokracisë”, u shpreh Tabaku.
Ajo nënvizoi gjithashtu nevojën për ndryshime rrënjësore në vend, duke e lidhur përparimin e Shqipërisë me forcimin e demokracisë, funksionimin e shtetit ligjor dhe respektimin e institucioneve.
“Shqipëria ka nevojë të ndryshojë rrënjësisht dhe ndryshimi vjen përmes demokracisë dhe shtetit ligjor, respektit për institucionet dhe votën”, deklaroi deputetja e PD-së.