Ka nisur në Lugano të Zvicrës gjyqi ndaj dy shqiptarëve, 31 dhe 32 vjeç, të arrestuar në prill të vitit 2025 në pikën kufitare të Chiassos, teksa transportonin rreth 25 kilogramë kokainë të fshehur në tapicerinë e automjetit.
Për dy të pandehurit, prokuroria ka kërkuar gjithsej 27 vite burg. 15 vjet burg për 31-vjeçarin që drejtonte makinën me drogë dhe 12 vjet burg për bashkëpunëtorin 32-vjeçar që udhëtonte me një automjet të dytë në rolin e "pararojës", si dhe dëbimin e të dyve nga Zvicra për 10 vjet pas vuajtjes së dënimit.
Sipas aktakuzës, droga kishte një vlerë tregu prej më shumë se 2 milionë frangash zvicerane dhe dyshohet se ishte ngarkuar në territorin italian, me destinacion tregjet e Evropës Veriore.
Hetimet kanë zbuluar se transporti i prillit 2025 nuk ishte i vetmi. Përmes analizimit të komunikimeve telefonike dhe kamerave të sigurisë përgjatë autostradave, autoritetet kanë identifikuar katër udhëtime të dyshuara të kryera nga dy shqiptarët, nga nëntori 2024 deri në prill 2025, duke ndjekur të njëjtin itinerar.
Sipas hetuesve, 31-vjeçari drejtonte automjetin ku ishte fshehur kokaina, ndërsa 32-vjeçari udhëtonte me një makinë tjetër, në rolin e sinjalizuesit përpara automjetit që transportonte drogën.
Gjatë procesit gjyqësor, të dy të pandehurit, të mbrojtur nga avokatët Marco Masoni dhe Davide Fagetti, kanë mohuar se kishin dijeni të plotë për aktivitetin kriminal. 31-vjeçari deklaroi se kishte pranuar transportin kundrejt 5 mijë eurove, duke menduar se në automjet ndodheshin jo më shumë se 5 kilogramë drogë. Ndërsa 32-vjeçari pranoi se e dinte që po transportohej lëndë narkotike, por jo sasinë e saj.
Prokurori Luca Losa i hodhi poshtë pretendimet e tyre, duke vënë në pikëpyetje mundësinë që një organizatë kriminale t'i besonte një transport kaq të rëndësishëm një personi që nuk kishte dijeni për përmbajtjen e ngarkesës.
Të dy akuzohen për shkelje të rëndë të ligjit federal për narkotikët, pastrim parash dhe hyrje të paligjshme në territorin zviceran.






Komente
Komento