Nga pena me të cilën Ahmet Zogu firmosi martesën te një spaletë që Artan Lame e bleu pak para se të hynte në operacionin që i mori jetën, një ekspozitë mbi “Monarkinë”, solli për herë të parë, objekte unikale për historinë e vendit. Të mbledhura nga koleksionisti e studiuesi Artan Lame, ekspozita është një amanet që ai I la së bijës, me barrën e menaxhimit të objekteve të rralla me të cilat synonte të hapte një muze. Lisia Lame, e bija e Artanit, së pari ka mbledhur në një ekspozitë flamuj, stema, uniforma që kanë të bëjnë me Skënderbeun, Pirnc Vidin e Mbretin Zog.
Nën titullin “Monarkia”, ekspozita shpalosi thesaret e panjohura te koleksionit te Artan Lames te Garda, pranë Liqenit të Tiranës. Me objekte që përfaqësojnë, elemente te shtetformimit, dokumente e imazhe te rralla, Lisia Lame thotë se mes të tjerash, tekstili si material, krijon lidhje emocionale të fortë me njerëzit. “Medaljet janë më specifike dhe lidhen vetëm një grup ta caktuar shoqëror, ndërsa objektet e përditshmërisë janë më popullore. Kjo ekspozitë është vetëm një hap i parë, pasi muzeu do të ketë objekte të tjera që do ngjallin më shumë emocione. Ka shumë flamuj që lidhen me historinë e vendit, disa prej tyre të dëmtuar. Kemi sjellë monarkinë e parë dhe të dytë, ndërsa këto uniforma donin orë të tëra restaurimi”, tha Lisia Lame për News24. Ajo sqaroi se një pjesë e uniformave që janë qepur me materiale leshi, ngurtësohen me kalimin e kohës, ndaj edhe ruajtja e ekspozimi i tyre është më i vështirë.
Mes objekteve më të veçanta është pena dhe kallamari, që i përkisnin mbretit Zog e me të cilën ai firmosi kontratën e martesës. Vetë historia se si Artan Lame e kërkoi dhe e gjeti është domethënëse, pasi një pjesë ju bë dhuratë, ndërsa pjesën tjetër mezi e siguroi. Po aq rëndësi, ka edhe uniforma e ushtarit të gardës mbretërore.
“Uniforma e monarkisë është amaneti i Artan Lames. Ajo i përkiste një oficeri dhe veç medaljeve të meritës e distinktivit me portretin e mbretit, që lidhen me Zogun dhe mbajnë inicialet e emrit të tij, janë edhe përkushtimet që ai ju bënte atyre që kishte afër. Marrin vlerë të jashtëzakonshme, jo vetëm për vlerat historike, por edhe, sepse Lame njërën spaletë e bleu nga spitali, ku ndërroi jetë.
Gjetja dhe sigurimi i njërës spaletë të kësaj uniforme ka qenë vullneti i fundit i Lames”, thotë miku i tij, arkitekti Artan Shkreli.
Sipas tij., uniformat e Lames, nga pavarësia te garda e sotme kanë një rëndësi të veçantë për historinë e vendit. Pasionin për koleksionet, Lame e nisi diku në vitet ’90 pranë një dyqani të vogël me pulla.
“Një pjesë e madhe e këtyre uniformave kur siguroheshin ishin të dëmtuara. Lamja ka një meritë të madhe jo vetëm për mbledhjen e tyre, por edhe për kujdesin për to. Ai i qepte dhe i qëndiste vetë, që t’i restauronte këto uniforma me një kujdes në këtë lami që ia kalonte edhe nënës sime”, thotë Shkreli.
Artan Lame u nda nga jeta para kohe vitin e kaluar, gjatë një ndërhyrje kirurgjikale.
