Raporti i Komisionit Evropian duhet të shërbejë si pikënisje për diskutim të hapur dhe të përgjegjshëm, deklaroi zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali. Sipas njoftimit të Ministrisë për Çështje Evropiane (MÇE), ai foli në mbledhjen e përbashkët të Këshillit Nacional për Eurointegrime dhe Komisionit për Çështje Evropiane në Kuvend, ku theksoi se procesi i integrimit evropian kërkon vazhdimësi në punën e institucioneve, mbikëqyrje nga Parlamenti dhe përfshirje të gjerë të shoqërisë.
Sali tha se Komisioni Evropian vlerëson pjesëmarrjen aktive të vendit në Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor, si dhe harmonizimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, raporti kërkon rezultate të tjera në sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, luftën kundër korrupsionit, administratën publike dhe zbatimin e legjislacionit.
Të lidhura
None found
Lidhur me interpretimet e ndryshme të raportit, ministri vuri në dukje se institucionet dhe organizatat mund të ndjekin metodologji të ndryshme. Megjithatë, sipas tij, diskutimi nuk duhet të përqendrohet te statistika të shkëputura apo te krahasimi i vlerësimeve, por te gjetjet konkrete, rekomandimet dhe përgjegjësia për zbatimin e tyre.
Ai foli edhe për konstatimin e Komisionit se nuk ka pasur përparim me ndryshimet kushtetuese të përmendura në konkluzionet e Këshillit të vitit 2022. Sali theksoi se kjo çështje kërkon dialog serioz, ndjekje të procedurave demokratike dhe respektim të shqetësimeve legjitime të qytetarëve.
Sipas ministrit, Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes duhet t’i shndërrojnë reformat në përfitime të prekshme, përmes afrimit gradual me tregun e vetëm evropian, shërbimeve publike më efikase dhe mundësive të reja për bizneset. Ministria për Çështje Evropiane do të vijojë bashkërendimin me institucionet përgjegjëse, evidentimin e vonesave dhe ndjekjen e rezultateve të matshme.








