Gjykata e Apelit e Kosovës ka lënë në fuqi dënimet për vrasjen e Liridona Ademajt, duke konfirmuar burgimin e përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën, si dhe 30 vite burg për Kushtrim Kokallën.
Departamenti për Krime të Rënda në Apel ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, mbrojtësit të palës së dëmtuar dhe avokatëve të tre të dënuarve. Me këtë vendim mbetet në fuqi aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i shpallur më 6 korrik 2026.
Naim Murseli është dënuar për veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, ndërsa Granit Plava për të njëjtën vepër, si dhe për armëmbajtje pa leje. Kushtrim Kokalla është shpallur fajtor për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë.
Apeli ka lënë në fuqi edhe vendimin e shkallës së parë për refuzimin e akuzës ndaj Kokallës për veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.
Sipas njoftimit të gjykatës, të tre të dënuarve do t’u llogaritet në vuajtjen e dënimit koha e kaluar në paraburgim, nga 1 dhjetori 2023 deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Dënimet do të ekzekutohen menjëherë pas plotfuqishmërisë së vendimit të Gjykatës së Apelit.

