Vendosni fjalën kyçe....

Nis sistemi i pagesave të menjëhershme, transfertat deri në 40 mijë lekë pa komision


Nga sot, transfertat bankare ndërmjet bankave të ndryshme në Shqipëri kryhen brenda 10 sekondash.

Banka e Shqipërisë ka vënë në funksionim sistemin e pagesave të menjëhershme, IPSA, i cili u mundëson qytetarëve dhe bizneseve të transferojnë para në lekë dhe euro në çdo orë të ditës, edhe gjatë fundjavave dhe festave zyrtare.

“Ky është sistem i pagesave të menjëhershme në euro dhe në lekë që do të kryhen brenda vendit në shtatë ditë të javës, në 24 orë, ditën dhe natën”, deklaroi guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në një videomesazh.

Deri më tani, transfertat në kohë reale mund të kryheshin vetëm brenda të njëjtit institucion financiar. Për transfertat mes bankave të ndryshme, koha e ekzekutimit varionte nga disa orë deri në një ditë pune, në varësi të momentit kur kryhej urdhërimi i pagesës.

Për të përdorur sistemin e ri, klientët duhet të zgjedhin opsionin e transfertës së menjëhershme në aplikacionin e bankës së tyre. Në këtë mënyrë, edhe një transfertë e kryer të dielën në mbrëmje mbërrin në llogarinë e përfituesit brenda pak sekondash dhe mund të përdoret menjëherë. I njëjti proces vlen edhe për bizneset që marrin pagesa jashtë orarit zyrtar të bankave.

Transfertat e menjëhershme deri në 40 mijë lekë, të kryera përmes aplikacionit të bankës, do të jenë pa komision. Ndërkohë, tarifa për një transfertë të menjëhershme nuk do të jetë më e lartë se ajo e një transferte të zakonshme në të njëjtën monedhë dhe me të njëjtat karakteristika.

Guvernatori Gent Sejko vlerëson se implementimi i sistemit të pagesave të menjëhershme do të sjellë kursime të konsiderueshme për qytetarët dhe bizneset shqiptare.

“Me implementimin e këtij sistemi pagesash të menjëhershme, qytetarët dhe bizneset shqiptare do të kursejnë mbi 400 milionë euro, siç është parashikuar nga një studim i Bankës së Shqipërisë dhe i Bankës Botërore”, theksoi Sejko.

Projekti u realizua nga Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Bankën e Italisë dhe Bankën Qendrore Evropiane, me mbështetjen e Bankës Botërore.