Rusia ka paralajmëruar Estoninë se është po nxit ‘një lufte të hapur” mes dy vendeve, duke e akuzuar se po lejon në heshtje përdorimin e hapësirës së saj ajrore nga dronët ukrainas për sulme ndaj territorit rus. Moska ka kërcënuar gjithashtu me pasoja ekonomike pas vendimit të Talinit për të mbyllur kufirin me Rusinë nga 1 dhjetori.
Tensionet mes dy vendeve janë shtuar edhe pas një tentative për t’i vënë flakën një fabrike të industrisë së mbrojtjes pranë kryeqytetit estonez. Ministria e Jashtme ruse i ka hedhur poshtë akuzat e Talinit për këtë incident, duke i cilësuar si të nxituara dhe pa prova, ndërsa vendimin për mbylljen e kufirit e konsideron një tjetër provokim antirus.
“Talini duket se nuk i merr seriozisht parasysh pasojat e një veprimi të tillë. Mbyllja e kufirit shtetëror, para së gjithash, do t’i japë një tjetër goditje ekonomisë estoneze dhe pasojat do t’i kthehen si bumerang vetë Talinit, si dhe aleatëve të tij në BE dhe NATO”, thuhet në deklaratën e sotme të diplomacisë ruse.
Përplasja mes dy vendeve lidhet edhe me incidentet e fundit të sigurisë në Estoni. Më 14 nëntor u tentua t’i vihej flaka ambienteve të kompanisë Threod Systems, e cila prodhon dronë. Hetuesit estonezë ndaluan tetë shtetas letonezë, të dyshuar për përfshirje në tentativën e sabotimit.
Pas një sërë incidentesh të lidhura me shërbimet ruse të sigurisë, qeveria estoneze vendosi më 20 nëntor të mbyllë kufirin me Rusinë, me hyrjen në fuqi të masës më 1 dhjetor.
Moska i ka hedhur poshtë protestat e Estonisë për tentativën e sabotimit, duke i cilësuar akuzat ndaj Rusisë si të nxituara dhe pa prova. Në të njëjtën kohë, autoritetet ruse pretendojnë se Estonia po ndjek prej vitesh një politikë armiqësore ndaj Moskës.
Një tjetër akuzë e Rusisë lidhet me trajtimin e banorëve rusishtfolës në Estoni. Moska pretendon se ndaj tyre po zbatohen masa shtypëse, akuza që autoritetet estoneze i kanë mohuar vazhdimisht. Në deklaratën e saj, Ministria e Jashtme ruse paralajmëron se politikat e Talinit do të vazhdojnë të destabilizojnë situatën në rajon dhe të ndikojnë negativisht në standardin e jetesës së qytetarëve estonezë.
“Pala ruse rezervon të drejtën të ndërmarrë masa gjithëpërfshirëse politike dhe diplomatike për mbrojtjen e interesave kombëtare të Rusisë dhe të drejtave legjitime të qytetarëve të saj”, thuhet në deklaratë.
Estonia, ashtu si vendet e tjera baltike, i ka mohuar vazhdimisht pretendimet se lejon dronët ukrainas të përdorin territorin apo hapësirën e saj ajrore për të sulmuar Rusinë.