Zëri i shqiptarëve në Beograd dhe sfidat e mandatit, Mehmeti për RTSH: Investime në Luginën e Preshevës dhe njohjen e diplomave të Kosovës
Për shqiptarët e Luginës së Preshevës, sfidat mbeten të shumta, ndërsa përfaqësimi në institucionet e Serbisë shihet si një mundësi e rëndësishme për të ngritur zërin dhe për të përcjellë kërkesat e komunitetit shqiptar.
Visar Mehmeti, njëri prej dy deputetëve shqiptarë të zgjedhur në Kuvendin e Serbisë, ka folur për prioritetet dhe objektivat e tij gjatë mandatit të ri parlamentar, duke vënë në fokus mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve dhe përmirësimin e pozitës së tyre në institucionet shtetërore.
I ftuar në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri Aktualitet” në RTSH, Mehmeti, përmes një lidhjeje nga Lugina e Preshevës, u ndal te sfidat që e presin gjatë këtij mandati, përfaqësimi institucional dhe angazhimi për çështjet që prekin drejtpërdrejt shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
“Ka vite të tëra, ndoshta dekada, që nuk është investuar nga shteti serb këtu në Luginën e Preshevës. Kjo do të jetë një sfidë tjetër, pasi duhet të jemi këmbëngulës dhe të trokasim në çdo ministri. Janë gjenerata të tëra që diplomojnë në universitetet e Kosovës dhe diplomat e tyre nuk njihen. Jo për fajin e tyre, por për faj të politikës. Për të mirën e komunitetit tonë dhe të Luginës, pa dyshim që do të kërkojmë të jemi pjesë”, tha ai.
Deklaratat e tij vijnë në një periudhë zhvillimesh të rëndësishme politike në rajon, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, ndërsa në Serbi pritet të vijojnë proceset politike që lidhen me formimin e qeverisë së re dhe zgjedhjen e kryeministrit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




