Podgoricë, 23 nëntor 2026 – Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë dhe drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Kukësit, Erion Malaj, i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë Tropojë, Rexh Byberi, zhvilloi një takim me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Zhvillimit Ekonomik të Malit të Zi, Nik Gjeloshaj.

Në fokus të takimit ishte zhvillimi i infrastrukturës rrugore ndërkufitare, me vëmendje të veçantë te projekti i lidhjes Dragobi–Plavë, përmes Qafës së Vranicës.

Gjatë bashkëbisedimit, deputeti Malaj i përcolli Zëvendëskryeministrit Gjeloshaj rëndësinë e veçantë strategjike të këtij aksi rrugor, duke theksuar se realizimi i tij do të përbënte një investim infrastrukturor me ndikim jo vetëm për Bashkinë Tropojë, por për të gjithë Qarkun e Kukësit dhe zhvillimin e mëtejshëm të lidhjeve ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Sipas Malajt, kjo rrugë do të krijonte një korridor të ri komunikimi ndërkufitar, duke lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave, nxitur shkëmbimet tregtare dhe hapur perspektiva të reja për zhvillimin e turizmit malor dhe ekonomisë lokale.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm i këtij investimi është forcimi i lidhjeve mes komuniteteve shqiptare në të dyja anët e kufirit, duke afruar territore me potencial të konsiderueshëm natyror, ekonomik dhe turistik.

“I përcolla Zëvendëskryeministrit Gjeloshaj rëndësinë e veçantë që ka realizimi i kësaj lidhjeje rrugore. Nuk bëhet fjalë vetëm për një rrugë që lidh Tropojën me Plavën, por për një investim strategjik që i shërben të gjithë Qarkut të Kukësit dhe më gjerë, duke krijuar mundësi të reja zhvillimi ekonomik, turistik dhe bashkëpunimi ndërkufitar”, u shpreh Malaj.

Gjatë takimit, palët shkëmbyen gjithashtu mendime mbi zhvillimet politike dhe institucionale në të dy vendet, si dhe mbi procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Takimi shërbeu për të evidentuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar dhe të projekteve infrastrukturore që kontribuojnë në afrimin e komuniteteve, zhvillimin ekonomik dhe integrimin rajonal.