Pas disa muajsh mosfunksionimi, deputetët e mazhorancës dhe ata të opozitës u ulën në mes të nëntorit në tryezën e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, ku parashtruan pozicionet e tyre për këtë reformë. Bashkëkryetari Oerd Bylykbashi nga Partia Demokratike tha se kjo parti kërkonte një reformë tërësore, duke propozuar ndryshimin e sistemit zgjedhor në proporcional kombëtar me lista të hapura dhe lejimin e koalicioneve parazgjedhore.
Homologu i tij socialist, Damian Gjiknuri paraqiti një kundërofertë politike, duke shprehur gatishmërinë e mazhorancës për të negociuar një sistem proporcional me lista plotësisht të hapura, me kushtin që Partia Demokratike të pranojë reduktimin e numrit të deputetëve nga 140 në 100. Edhe pse nuk pritet që të ketë një kompromis të afërt mes palëve për shkak të kohës së shkurtër që komisioni ka në dispozicion, kompromiset politike mes dy partive të mëdha nuk janë një gjë e re.
Prej më shumë se dy dekadash, reformat zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese janë përcaktuar kryesisht nga marrëveshjet politike mes PS-së e PD-së, duke lënë jashtë procesit forcat e tjera politike. Reforma e vitit 2008, e cila ndryshoi sistemin zgjedhor nga mazhoritar i përzierë në proporcional rajonal me lista të mbyllura dhe një ndërhyrje e njëanshme e PS-së në 2020 që hoqi mundësinë e koalicioneve parazgjedhore, vlerësohet se ka kontribuar në polarizimin e skenës politike dhe në kufizimin e hapësirës për lëvizjet e reja që të krijojnë ndikim politik.
Ndaj çdo mundësi e re për kompromis mes dy partive të mëdha shihet me skepticizëm nga faktorët e tjerë politikë. Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, i cili e gjeti veten jashtë parlamentit në vitin 2025 pas dy dekadash deputet, denoncoi atë që e quan dominim të reformës nga interesat e dy partive të mëdha.
Në një konferencë për mediat, Shehi tha se PS e PD po kërkojnë të ruajnë monopolin mbi administrimin dhe numërimin e votave, duke përjashtuar partitë e tjera. Ai kërkon një proces gjithëpërfshirës, me ndërmjetësim ndërkombëtar dhe përfaqësim të protestuesve në negociata, ndërsa propozon një zonë të vetme zgjedhore në Shqipëri, me lista të hapura dhe sistem votimi me dy raunde.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, tre forca të reja, Partia Mundësia, Lëvizja Bashkë dhe Shqipëria Bëhet, u futën me vështirësi në parlament edhe pse morën një numër të konsiderueshëm votash. Këtyre partive iu deshën mbi 24 mijë vota për të siguruar një mandat parlamentar, ndërkohë që kandidatëve të dy partive të mëdha u nevojiten mesatarisht rreth 10 mijë vota. Rasti më ekstrem ishte i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, e cila mori 64 mijë vota në të gjithë vendin dhe vetëm një mandat deputeti.
Kjo pabarazi në peshën efektive të votës shihet si një nga arsyet që sistemi aktual favorizon hartuesit e Kodit Zgjedhor në fuqi dhe partitë e reja i frikësohen një ‘pazari’ të ri politik që do ta ngushtonte edhe më tej hapësirën e garës së barabartë në zgjedhje. Përfaqësues të këtyre partive shprehen kritikë ndaj një reforme të re bipartizane.
“Është i njëjti skenar, madje dhe të njëjtët persona prej 20 vitesh, të cilët arnojnë Kodin Zgjedhor dhe çdo palë zgjedhje shqiptarët përballen sërish me zgjedhje jo të lira, aspak të ndershme,” tha për BIRN Erald Kapri, deputet i Partisë Mundësia, duke e konsideruar komisionin një “farsë’.
Kapri vlerëson nga ana tjetër se diskutimi për sistemin zgjedhor nuk duhet të kufizohet te formula e mandateve, ndërsa problemet kryesore të konkurrimit politik mbeten jashtë tryezës së negociatave, siç është ajo për financimin e partive, përdorimin e administratës dhe burimeve shtetërore për qëllime elektorale, si dhe mungesën e hapësirave mediatike. “Këto janë elefanti në dhomë,” theksoi Kapri.
Deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi e konsideron procesin e deritanishëm të Komisionit të Reformës Zgjedhore të vonuar dhe pa përmbajtje konkrete. Sipas tij, megjithëse komisioni është ngritur prej më shumë se një viti, PS dhe PD nuk kanë paraqitur ende platforma të qarta për ndryshimet që propozojnë në Kodin Zgjedhor. Muçi dyshon se kjo zvarritje është e qëllimshme dhe synon t’u japë dy partive mundësinë që, në fund të procesit, të fajësojnë njëra-tjetrën për mungesën e konsensusit.
Muçi vlerëson se marrëveshja e vitit 2008 mes Edi Ramës dhe Sali Berishës vazhdon të favorizojë dy partitë e mëdha dhe se ndryshimi i saj do të kërkonte presion politik dhe qytetar. “Pa dyshim se marrëveshja e vitit 2008 Rama-Berisha avantazhon dy partitë e mëdha. Nga ky aspekt, ato nuk kanë arsye për ta ndryshuar Kodin, përveçse nga presioni i krijuar nga protestat e muajve të fundit,” tha Muçi për BIRN.
Edhe Adriatik Lapaj, drejtues i Shqipëria Bëhet, shprehet se qëndrimi i kësaj force politike ka qenë i pandryshuar në kërkesën për një sistem zgjedhor që garanton barazinë e konkurrimit dhe lirinë e votës. “PD dhe PS, duan apo nuk duan, duhet të dëgjojnë sheshin dhe qytetarët, që e kanë kërkesë të panegociueshme Kodin Zgjedhor, sistemin proporcional kombëtar me lista të hapura”, tha për BIRN ai.
Kushte për garë të barabartë
Përfaqësuesit e tri forcave të reja parlamentare kërkojnë ndryshime ligjore që garantojnë konkurrim të barabartë dhe kufizojnë avantazhin e krijuar ndër vite nga dy partitë e mëdha. Kërkesën e tyre ata e shohin jo vetëm si qëndrime që lidhen me ambicjet politike të partive të tyre për t’u rritur, por në rezonancë me qëndrimin e një pjese të madhe të shoqërisë e shprehur nëpërmjet protestave qytetare prej 6 muajsh.
Ata mbështesin kalimin drejt një sistemi proporcional kombëtar me lista të hapura dhe prag të ulët, por ngrenë gjithashtu shqetësime për financimin e partive, përdorimin e administratës publike në fushatat zgjedhore dhe përqendrimin e pushtetit në duart e kryetarëve të partive. “Këdo shqiptar që pyet do të thotë që do sistem kombëtar, lista e hapura e prag të pranueshëm për të hyrë në Kuvend. Pse nuk bëhet? Sepse PS e PD duan te ruajnë oligopolin politik,” argumenton Kapri.
Por, ai shprehet mosbesues se negociatat mes PS-së dhe PD-së të prodhojnë ndryshime reale dhe paralajmëron se një marrëveshje mes tyre mund të ndryshojë Kushtetutën për të ulur numrin e deputetëve, gjë që do të sjellë një tjetër kompromis politik si ai i 2008-ës. Edhe deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi e mbështet kalimin në sistemin proporcional kombëtar me prag të ulët, duke argumentuar se kjo do të zgjeronte mundësitë për përfaqësimin e forcave të tjera politike në Kuvend.
Megjithatë, ai e konsideron financimin e partive një nga problemet kryesore që duhet të trajtojë reforma. “Ndryshimet që ne kërkojmë në lidhje me Ligjin për Financimin e Partive kanë të bëjnë me përgjegjësinë penale që duhet të mbajnë individët e caktuar dhe pasojat administrative për partitë politike sa herë që abuzohet me financimin e fushatave,” shprehet Muçi.
Sipas tij, financimi i paligjshëm i fushatave nga oligarkë dhe krimi i organizuar krijon avantazh të konsiderueshëm për dy partitë e mëdha, ndërsa gjobat e ulëta për refuzimin e auditimeve financiare nga KQZ-ja nuk shërbejnë si mekanizëm efektiv kontrolli. Partia që ai përfaqëson i ka dorëzuar këto propozime zyrtarisht në komision dhe janë bërë publike, edhe pse Muçi thotë se është skeptik se do të merren në konsideratë nga partitë e mëdha që kanë në dorë këtë reformë. Kodi aktual Zgjedhor në fuqi shihet si një prej burimeve të përqendrimit të pushtetit politik dhe pabarazisë së votës nga kryetari i Shqipëria Bëhet.
“Ky Kod i ka kthyer kryetarët në zot të vendit dhe deputetët thjesht në numra që votojnë çka do kryetari dhe ka prodhuar vjedhje e mjerim kudo, pasi pushteti buron nga pabarazia e votës,” thotë Lapaj. Ai shton se partia që ai drejton u ka përcjellë forcave opozitare propozimet për ndryshimin e sistemit në proporcional kombëtar me lista të hapura dhe lejimin e koalicioneve parazgjedhore, pasi shikon këtë sistem si të “domosdoshëm për demokratizimin e përfaqësimit politik”. /BIRN/
