Politico: Evropa e ka humbur vendin e saj në tryezën e bisedimeve
Winston Churchill kishte shprehur një vlerësim të zymtë të samitit të vitit 1943 në Teheran, ku ai, Presidenti i SHBA-së Franklin Roosevelt dhe udhëheqësi sovjetik Joseph Stalin diskutuan strategjinë e luftës dhe formën e Evropës pas përfundimit të saj.
“U ula aty me ariun e madh rus në njërën anë, me këmbët e hapura, dhe bizonin e madh amerikan në anën tjetër”, kishte rrëfyer kryeministri britanik. “Midis të dyve ishte ulur gomari i varfër i vogël anglez”. “Por të paktën gomarit të varfër iu lejua të ishte në dhomë”, komenton Politico.
Takimi i parë trepalësh midis Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Kinës, i mbajtur javën e kaluar në Shenzhen, u krahasua nga disa me një takim tjetër në Jaltë, ku Churchill, Stalin dhe Roosevelt formësuan rendin e pasluftës që mezi mbijeton sot. Megjithatë, këtë herë, ndikimi diplomatik i Evropës mungonte plotësisht .
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të paktën kishte zhvilluar diskutime me udhëheqësit kryesorë evropianë para samitit të tij me Putinin në Alaska në gusht 2025. Në të kundërt, nuk pati konsultime të gjera apo takim online me aleatët evropianë para takimit në Shenzhen, sipas dy zyrtarëve të lartë evropianë, të cilët folën me Politico në kushte anonimiteti.
Shkurt, ndërsa Trump u takua me presidentin rus Vladimir Putin dhe udhëheqësin kinez Xi Jinping në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), Evropa u la jashtë diskutimeve.
Sigurisht, Shenzhen nuk ishte Jaltë. Evropa nuk ishte në tryezë për t’u “ndarë” nga “bizoni” amerikan, “ariu” rus dhe “panda” kineze. “Në Jaltë, Evropa u nda. U copëtua. Dhe ne nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë përsëri”, tha kancelari gjerman Friedrich Merz në një konferencë të gjatë për shtyp në Berlin, i shoqëruar nga udhëheqës të tjerë evropianë, disa orë pas bisedimeve. “Takimi në Shenzhen ishte, me sa duket, një mundësi për të bërë foto”, shtoi ai. Dhe, në pamje të parë, ai mund të ketë të drejtë.
Kur Fox News e pyeti Trumpin se cili do të donte të ishte titulli i samitit, ai u përqendrua te formaliteti dhe spektakli, si dhe te fakti që Xi personalisht e priti në aeroport, një gjest i rrallë për një president kinez. “Ishte një shfaqje e shkëlqyer respekti dhe e vlerësoj”, tha ai. “Është një fitore e madhe për ne. Është një fitore e madhe për Kinën. Po shkojmë mirë.”
“Samiti trepalësh kishte të bënte tërësisht me imazhin dhe aspak me substancën”, u pajtua Melanie Hart, një ish-këshilltare e lartë për Kinën në Departamentin e Shtetit të SHBA-së dhe tani një bashkëpunëtore në Këshillin Atlantik. Në të vërtetë, samiti prodhoi pak rezultate konkrete.
Të tre udhëheqësit u zotuan të çojnë përpara reformën e OKB-së dhe “të rrisin prodhimin dhe furnizimin me produkte të rafinuara të naftës në dobi të të gjitha kombeve “. Kjo është një fitore e dukshme për Putinin, pasi ka të ngjarë të thotë se Trump nuk do të zbatojë sanksione energjetike kundër Rusisë.
Të tre udhëheqësit deklaruan gjithashtu se “Gjykata Ndërkombëtare Penale dhe organizata të tjera të ngjashme nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre”, duke riafirmuar në thelb imunitetin e zyrtarëve shtetërorë nga gjykatat dhe institucionet ndërkombëtare. Një tjetër fitore për Putinin, i cili ka një urdhër arresti në pritje nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Në të njëjtën kohë, të tre udhëheqësit deklaruan se një luftë bërthamore nuk duhet të zhvillohet kurrë.
Për Natia Seskurian, nga instituti britanik i kërkimit RUSI, “nuk patëm një ‘Jaltë të re’ në Shenzhen, pasi të tre udhëheqësit kishin aspirata shumë të ndryshme”.
“Trump donte të dukej si një njeri që arrin marrëveshje të mëdha. Putin donte të paraqiste veten si udhëheqës i një fuqie të madhe të barabartë, përsëri në skenën botërore. Xi mori meritat për mikpritjen e të dyjave, pa u angazhuar për asnjërën axhendë.”
Megjithatë, do të ishte gabim ta konsideronim atë që ndodhi në Shenzhen si të parëndësishme ose si ngjarje pa pasoja afatgjata. Samiti ka të ngjarë të shihet në të ardhmen si një hap tjetër larg rendit ndërkombëtar liberal që doli pas Luftës së Ftohtë dhe një kthim në një politikë shumë më të hapur dhe të pamëshirshme të fuqive të mëdha.
Një politikë në të cilën shtetet e fuqishme imponojnë vullnetin e tyre mbi ato më të vogla, duke lënë mënjanë normat ndërkombëtare, duke përfshirë përpjekjet për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së udhëheqësve të akuzuar për krime lufte.
Shkurt, samiti tregoi drejtimin e mundshëm të zhvillimeve. Dhe kjo vetëm sa mund ta zgjerojë më tej hendekun midis Uashingtonit dhe aleatëve të tij evropianë.
Në fakt, një tjetër tregues i rendit botëror në zhvillim u bë i dukshëm disa orë pasi përfunduan bisedimet.
Trump, nga avioni presidencial Air Force One, ndërhyri me telefon në një takim të aleatëve evropianë të Ukrainës në Berlin, duke shprehur dyshime të forta nëse Evropa duhet të shpenzojë miliarda shtesë për të mbështetur Ukrainën , pasi Putin e kishte siguruar se ai me të vërtetë dëshironte një marrëveshje paqeje.
“Trump nuk do të kishte asnjë hezitim për të vendosur për fatin e Ukrainës pa praninë e Kievit në tryezën e negociatave”, tha Fredrik Weslau, një ish-diplomat i OKB-së dhe BE-së dhe aktualisht bashkëpunëtor i lartë në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR).
“Ai ka treguar se nuk është i interesuar për sigurinë evropiane apo Ukrainën, por për normalizimin e marrëdhënieve me Rusinë në mënyrë që interesat e ngushta ekonomike pranë tij të mund të korrin fitime”, shtoi ai.
Weslau shpreson se “bota shumëpolare e fuqive të mëdha, sferave të ndikimit dhe zonave neutrale do të përballet me realitetin e rezistencës nga shtetet më të vogla, siç e ka gjetur Rusia në Ukrainë”.
Ndoshta po, ndoshta jo. Në Jaltë, Churchill të paktën kishte arritur, me manovrime të shkathëta, të siguronte disa gjëra. Ndër to, ai ia doli të siguronte një vend të përhershëm për Francën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, së bashku me Britaninë. Churchill besonte se kjo do të kontribuonte në forcimin e ndikimit diplomatik të Evropës. Dhe kështu ndodhi, për një farë kohe. Por kohërat kanë ndryshuar.
Gjermania teston dronët kamikazë dhe inteligjencën artificiale në Lituani, pranë kufirit me Bjellorusinë
Rreth 450 shkolla në Gjermani marrin kërcënime me bomba
Vëllai i Paolo Borsellinos për Euronews: Duhet të shohim çfarë dokumentesh la pas De Gennaro
- 17:47 “Kina pas sulmit kibernetik”, ekspertët e BE: Sistemi ende i rrezikuar
- 17:40 Raporti i OBSH: 1 në 7 persona në botë obez, vendet angazhohen ta ulin me 5% deri në vitin 2030
- 17:30 Panik në një koncert në Angli, evakuohen 12 mijë persona pas përhapjes së një substance të panjohur
- 17:29 Gjermania teston dronët kamikazë dhe inteligjencën artificiale në Lituani, pranë kufirit me Bjellorusinë
- 17:26 Zgjedhjet lokale të 9 majit, kandidatët e mundshëm të PS-së
- 17:10 Të paktën 24 viktima nga zjarri në një fabrikë në Indonezi, dhjetëra të zhdukur